Hapet Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor, synon pajtimin mes popujve të Ballkanit

Prishtinë | 10 Tet 2017 | 15:06 | Nga Donika Osmani

Në Qendrën e Studentëve të Universitetit të Prishtinës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë hapjen zyrtare të Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor, Zyra Lokale në Kosovë. (RYCO).

RYCO është themeluar nga gjashtë qeveritë e Ballkanit Perëndimor Bosna dhe Herzegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia dhe Shqipëria ka filluar funksionalizimin e saj me kapacitete të plota, më 4 korrik 2017, raporton Ekonomia Online.

RYCO tenton të jetë një shembull i mirë i bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe të forcojë procesin e Berlinit, bashkëpunimin paqësor dhe demokratik në rajon.

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, tha se kjo iniciativë do ta ketë mbështetjen e Qeverisë së Kosovës.

“Kjo është iniciativë e të rinjve zotohem se do ta ketë mbështetjen tonë. Dua t’i ftoj të rinjtë e Kosovës që të bashkëpunojnë më njëri-tjetrin”, tha ai.

Hoxhaj theksoi se duhet të kemi organizim politik, dialog shoqëror në mes Kosovës dhe Serbisë dhe me vendet tjera, por duhet të ketë njohje ndërshtetërorë, edhe njohe mes shoqërive, elitave dhe kulturave.

Ministri Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, tha se do të mbështesë në çdo aspekt këtë zyrë.

“Takimi ka filluar në maj të vitit 2017, vizioni për bashkëpunim rinor në të cilin të rinjtë janë të ndërgjegjshëm për të kaluarën dhe shoqërinë e tyre. Qëllimi është arritja e miqësisë mes vendeve të Ballkanit, promovimi i tolerancës, bashkëpunimi me vendet e tjera, në mes popujve të Evropës me të rinjtë tanë”.

Gashi shtoi se Kosova është vendi i parë që ka përmbushur kërkesat për Zyrën e Bashkëpunimit Rajonal, ku të rinjtë e vendit kanë mundësi t’i adresojnë problemet dhe nevojat e tyre, raporton EO.

Arianit Jashari, përfaqësues i të rinjve në Prishtinë, tha se problemi më i madh që kanë të rinjtë është mos liberalizimi i vizave.

“Jam krenar që të rinjtë tanë janë përfaqësua më të mirë të vendit tonë, duke filluar nga arritjet në sport janë ambasadorët tanë më të mirë. Një problem i madh është liberalizimi i vizave për ne të rinjtë, që nuk mund të lëvizim lirshëm, papunësia e cila na ndalon të shpërndajmë dijet tona përtej”.

RYCO synon të përmirësojë mirëkuptimin reciprok në mes dallimeve kulturore dhe të zhvilloj respekt të ndërsjellë, si dhe përgjegjësinë e përbashkët për rajonin dhe Evropën midis të rinjve të Ballkanit Perëndimor.

Përmes qasjes së saj, RYCO gjithashtu synon të nxit trajtim konstruktiv ndaj të kaluarës dhe do të mbështet procesin e pajtimit në rajon.

 

 

 

Të ngjashme