Haradianj për Kurtin: Nuk e kemi luksin që për tekat e tij, ta rrezikojmë ekzistencën dhe lirinë e paguar shtrenjtë

Prishtinë | 03 Nën 2022 | 18:45 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka ripërsëritur kërkesën e tij për ta shfuqizuar vendimin për targat, raporton Ekonomia Online.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që ta pranojë kërkesën e ShBA-së për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat ilegale.

Ish-kryeministri ka thënë se Kosova nuk e ka luksin që të rrezikohet ekzistenca e shtetit, e cila sipas tij është paguar shtrenjtë.

“Situata në Kosovë po përkeqësohet nga çasti në çast e Kryeministri nuk e ka idenë se çka po ndodhë me vendin e tij. Sot i kam kërkuar që urgjentisht të ndërrojë kahje e ta shfuqizojë vendimin e tij për targat e të mos e rrezikojë stabilitetin në vend e në rajon. Kosova ka nevojë për marrëveshje për njohje me Serbinë,  e jo për populizma që me to t’i shërojë egot e sëmura Kryeministri”, ka shkruar Haradinaj.

Nëse një gjë të tillë nuk e bën kryeministri Kurti, Haradinaj ka thënë se i njëjti po rrëshqet në tradhti.

“Ne nuk e kemi luksin që për tekat e tij, ta rrezikojmë ekzistencën e shtetit dhe lirinë e paguar shtrenjtë. Nëse kryeministri nuk ndërron kurs të veprimit dhe nuk harmonizohet me kërkesat amerikane menjëherë, ai sigurt se po rrëshqet në tradhti. Unë s’kam çka i them tjetër përpos që nuk do të lejohet as ai e askush tjetër që ta rrezikojë të ardhmen e vendit”, ka shkruar tutje Haradinaj.

Të ngjashme