Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se aksioni i sotëm policor ka të bëjë vetëm për zbatim të ligjit dhe asgjë tjetër.
Pas raportimeve për aksionin e Policisë në veri, Haradinaj në Facebook ka thënë se aksioni po ndodhë në gjithë Kosovën dhe është drejtuar ndaj individëve të përfshirë në kontrabandë, krim të organizuar e vepra tjera kriminale.
Ai ka thënë se operacioni është zhvilluar me sukses edhe në veri të vendit. Haradinaj ka ftuar serbët e veriut të ruajnë qetësinë e të respektojnë ligjin, pas njoftimit se policia ka hasur në rezistencë të armatosur.
Njoftimi i Haradinajt:
Me urdhër të Prokurorit, në gjithë Kosovën aktualisht është duke ndodhur një operacion policorë, i drejtuar ndaj individëve të përfshirë në kontrabandë, krim të organizuar dhe vepra të tjera kriminale.
Disa prej personave të përfshirë në këto vepra janë zyrtarë doganorë, policë por edhe qytetarë të rëndomtë.
Operacioni u zhvillua me sukses edhe në Komunat Veriore të Kosovës.
Si Kryeministër i vendit, konfirmoj se bëhet fjalë për zbatimin të ligjit dhe asgjë tjetër.
Ftoj serbët e veriut ta ruajnë qetësinë dhe ta respektojnë ligjin!