“Anëtarësimi në FIBA i Federatës së Basketbollit të Kosovës, u ka mundësuar të rinjve tanë, të marrin pjesë në më shumë se 18 gara ndërkombëtare duke shënuar rezultate të mira dhe tani të bëhen edhe nikoqir i një organizimi ndërkombëtar. Ky është sukses i madh për Kosovën dhe është arritur falë talentit dhe përkushtimit të basketbollistëve”, kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi priti në takim një delegacion të Federatës Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA), të kryesuar nga drejtori ekzektuiv, Kamil Novak dhe Arben Fetahu, Kryetar i Federatës së Basketbollit të Kosovës.
Kryeministri Haradinaj me këtë rast ka njoftuar z. Novak për përkushtimin dhe investimet e Qeverisë së Kosovës në përmirësimin e infrastrukturës sportive në Kosovë, në mënyrë që të rinjtë dhe sportistët të kenë mundësinë e ushtrimit të aktiviteteve të tyre sportive.
“Ne kemi arritur që pas 19 vitesh prolongim e humbje, Pallatin e Rinisë t’ia kthejmë Prishtinës, qytetarit të saj, sportistëve dhe artistëve. Sportistët tanë, veçmas basketbollistët, tani e kanë në dispozicion këtë hapësirë, e cila falë statutit të ri të zgjidhur, do të mund të marrë investime të nevojshme, që të krijojë kushte edhe më të mira për zhvillimin e sportit ”, ka shtuar Kryeministri Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj ka falënderuar përfaqësuesit e FIBA-s dhe të Federatës së Basketbollit të Kosovës për organizimin e Kampionatit Evropian FIBA U18 në Kosovë, duke thënë se ngjarjet sportive si këto janë të rëndësishme jo vetëm për basketbollin, por për sportin në përgjithësi.
Anëtarësimi i Kosovës në FIBA, sipas kryeministrit Haradinaj i ka krijuar mundësi basketbollistëve tanë që të garojnë dhe të jenë pjesë e drejtpërdrejtë në konkurrencën e grupmoshave të ndryshme.
Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i FIBA-s, Kamil Novak, tha se qëllimi i vizitës është për të parë nga afër organizimin e FIBA-s U18 Kampionatit Evropian, Divizioni C, që është duke u zhvilluar në Prishtinë dhe për të konfirmuar mbështetjen e FIBA-s për Federatën e Basketbollit të Kosovës.