Haradinaj: Batalioni “Atlantiku”, tregimi më kuptimplotë ndër breza

Prishtinë | 18 Pri 2019 | 12:40 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Ramush Haradinaj ka takuar gjatë ditës delegacionin e Batalionit “Atlantiku” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shefi i Qeverisë ka thënë se ishte nder i jashtëzakonshëm t’i takonte ish-pjesëtarët e këtij batalioni derisa ka shtuar se ata e kanë lënë jetën e tyre të ndërtuar larg Kosovës për t’iu përgjigjur thirjes së atdheut.

Ai ka thënë po ashtu se u jemi mirënjohës përjetësisht shqiptaro-amerikanëve që dhanë kontributin e tyre në luftë por edhe në liri, në forcimin e miqësisë së përhershme me ShBA-në.

“Jam i nderuar që ju kem i në Kosovë sikurse çdo shqiptar dhe çdo bashkëkombës i yni kudo që është e ka nderin pra edhe me nda kohë, por edhe me shpreh respekt për vendimin e juaj dhe veprën e juaj të mbajtur në kohë të vështira të atdheut të juaj dhe tonë, të luftës në Kosovë, vendimi i juaj që me u bë pjesë e luftës për liri të kombit tonë dhe ardhja juaj për të kryer detyrën ndaj atdheut prej Amerikës dhe viseve të tjera, realisht e ka shënuar një ngjarje të veçantë në historinë tonë, unë si një bashkëluftëtarë i juaj ju shprehë respektin por edhe si kryetar i qeverisë së Kosovës”.

“Poashtu është një koincidencë pasi që sot kujtojmë dëshmorët e Prishtinës, Prishtina ka 99 dëshmorë, 79 janë të periudhës së UCK-së dhe 20 janë të periudhave të tjera historiket shpallur dëshmorë, është ditë kur përkujtojmë Makovcin, Marecin, dje Poklekun dhe nesër Mejën, dhe propozoj të bëjmë një minutë nderim për të gjithë të rënët e martirët dhe bashkëkombësit tonë”.

“Për mu është një moment i veçantë të jemi bashkë këtu pasi që është shtëpia jonë, është një  mundësi për mu të dekorojë Batalionin Atlantiku me medaljen ‘Gjergj Kastroti Skënderbeu’, për kontributin e dhënë për lirinë e atdheut, kjo i dedikohet të gjithë juve, njëkohësisht e kemi përgatitë në kuadër të vitit mbarë kombëtarë ‘Skënderbeu’, një botim me portrete të Skënderbeut, kryeheronjtë tonë kombëtarë shqiptarë dhe dëshiroj të ua lë këtë kopje”.

“…me këtë dua të iu them një dëshirë timen e cila është që të rënët për liri të luftës së fundit të nxijnë vend, që nënkupton mos të iu lëshojmë rend të tjerëve me vdekur e me ra në fusha të nderit për ato të drejta që i kemi fituar, populli jonë thotë mos raft me u harru, dëshira ime si bashkëluftëtarë është që ky brez i fundit i luftëtarëve të zënë vend, nëse ky brez i fundit zënë vend atëherë nuk na përsëritet Toplica, e cila është një pjesë e atdheut tonë nën Serbi, dhe Toplicat tjera, nëse lëkunden dëshmorët, e drejta jonë lëkundet dhe do përsëritet prapë breza e breza dhe do bimë për ta fituar atë që e kemi fituar njëherë por që e kemi humbë për udhe e që është e pafalshme nëse na për një të drejtë e kemi fituar e që e humbim gabim, prapë me ra në fushë të nderit luftëtari shqiptar”.

Ndërsa, në emër të delegacionit të Batalionit “Atlantiku”, foli Hysni Syla, i cili pasi falënderoi kryeministrin Haradinaj për pritjen dhe organizimin, tha se është karakteristikë e veçantë e Batalionit, sepse në të marrin pjesë shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare.

“Ju falënderojmë pasi që kjo ardhje pas 20 viteve është bërë nën patronatin e Qeverisë së Kosovës. Themelimi i këtij Batalioni ishte me një mision të posaçëm të shenjtë për të iu treguar edhe Kosovës, por edhe Shqipërisë se edhe pse shqiptarët largohen nga atdheu në momente të caktuara atëherë kur thërret vendlindja dhe atdheu, shqiptarët janë të gatshëm çdo herë t’i lënë shtëpitë e tyre dhe familjet e tyre e biznesin e t’i përgjigjen atdheut, këta burra iu përgjigjen në kohën e duhur atdheut”.


Të ngjashme