Kryeministri Ramush Haradinaj ka bërë homazhe te varri i Tahir dhe Nebih Mehës, në 37-vjetorin e rënies.
Haradinaj ka thënë se rezistenca e tyre tregoi se shqiptarët nuk frikësohen nga regjimi që maltretonte rininë e Kosovës, transmeton Ekonomia Online.
“Rezistenca dhe lufta heroike e Tahir dhe Nebih Mehës tregoi se shqiptarët nuk do të frikësohen më para regjimit të atëhershëm që burgoste dhe maltretonte rininë e Kosovës”, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pas homazheve te varri i Tahir dhe Nebih Mehës, në 37 vjetorin e rënies.
Kryeministri Haradinaj tha se Prekazi bashkon shumë histori për shqiptarët.
“Edhe më herët ishte Ahmet Delia, tani është Tahiri e Nebihi, por ai që vërtet na nderon gjithë neve si komb është komandanti legjendar Adem Jashari, familja Jashari”, tha kryeministri Haradinaj.
Kryetari i komunës së Skënderajt, Bekim Jashari, tha se është obligim i të gjithë neve t’i nderojmë dhe respektojmë heronjët dhe dëshmorët tanë. Ai tha se rënia e tyre 37 vjet më parë i ka motivuar të rinjtë dhe të rejat se si duhet atdheu.
Ilir Meha, nipi i Tahir Mehës, falënderoi kryeministrin Haradinaj për ardhjen në Prekaz, për të nderuar gjakun e derdhur për liri të heronjve të parë të luftës së Shaban Polluzhës.
Haradinaj vizitoi edhe themelet e Kullës së Rezistencës së Tahir e Nebih Mehës dhe Kullën e familjes Meha dhe në shenjë mirënjohje i dhuroi flamurin kombëtar nipit të Tahirit, Ilir Mehës.