Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka nominuar tashmë kandidatin për kryetar të Prishtinës, e që është Daut Haradinaj, i cili kandidaturën për Prishtinën e ka marrë me seriozitet, duke grumbulluar rreth vetes profesionistë të dëshmuar nga kryeqyteti.
Daut Haradinaj ka thënë se garës për kryeqytetin i ka hyrë me bindjen e plotë se mund të bëjë shumë për të dhe banorët e saj.
“Fillimisht dëshiroj të jem i qartë, unë nuk kam hyrë në garë për të bërë karrierë, por kam hyrë në garë me bindje të plotë se mundem të bëj më shumë për kryeqytetin dhe për njerëzit që jetojnë në të”, ka thënë Daut Haradinaj.
Kurse sa u përket prioriteteve që do të jenë në krye të agjendës së tij sapo ta merr besimin e kryeqytetasve, Haradinaj ka radhitur ndërtimin e Spitalit Rajonal të Prishtinës në ish Kazermën e Ushtrisë në Llukar, Zbatimin e ligjit për kryeqytetin, i cili edhe pse është miratuar në Kuvendin e Kosovës ende nuk ka filluar së zbatuari, trajtimit me urgjencë të Pallatit të Rinisë dhe rishikimin e Planit Rregullativ të Kryeqytetit, ku secila lagje do të ketë koeficient të barabartë ndërtimi si dhe zbatimit të ligjit për legalizim.
“Spitali Rajonal i Prishtinës, që mendoj se duhet urgjentisht të ndërtohet dhe ai duhet të jetë në Llukar, në ish Kazermën e Ushtrisë.
Zbatimi i Ligjit për kryeqytetin që ka hyrë në fuqi që tri vite, e që përpos Policisë së Kryeqytetit, i jep peshë dhe rol Prishtinës si kryeqytet i rajonit, e që fatkeqësisht pavarësisht miratimit në Kuvendin e Kosovës, ka mbetur në sirtar.
Ndërsa i pyetur se përse kryeqytetasit duhet t’ia japin besimin Haradinajt, për të udhëhequr me Prishtinën, Haradinaj ka thënë se besimi për të është besim në vendimmarrje, saktësi në qeverisje si dhe besim që Prishtina të vihet e para jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.
“Besimi për mua është besim në vendimmarrje, disiplinë, transparencë, dhe saktësi në qeverisje. Ato punë që i lejon Ligji do kryhen brenda afateve të paracaktuara. Pra, me ekspertët që po e mbështesin kandidaturën time jemi dakorduar që Prishtina duhet të jetë e para dhe jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon”, shtoi ai.
Duke folur për kandidatët e prezantuar deri më tash për Asamble Komunale të Prishtinës, ai ka thënë se përzgjedhja e tyre si profesionistë nga sfera të ndryshme, ka derivuar si rezultat i problemeve me të cilat po përballet aktualisht shoqëria.
“Duke parë nga afër problemet e shoqërisë sonë, po mundohemi t’i përzgjedhim më të mirët përfaqësues, nga të gjitha sferat”, ka thënë Daut Haradinaj.
Deri më tash Daut Haradinaj, ka prezantuar 16 kandidatë nga 56 sa do të jenë në total në garë për një ulëse në Asamblenë Komunale të Prishtinës. Të 16 kandidatët e prezantuar nga ai, vijnë nga profesione të ndryshme dhe janë të dëshmuar në profesionet e tyre.