Kryeministri Ramush Haradinaj, gjatë debatit parlamentar për dialogun, tha se me Serbinë synohet që të arrihet një marrëveshje përfundimtare në të cilën do të përfshihen edhe çështjet si dëmet ekonomike, borxhet.
Ai tha se deputetët duhet të bëhen bashkë e të vlerësojnë të gjitha raportet e paraqitura dhe të propozojnë mundësi të tjera, raporton Ekonomia Online.
“Mos harroni, ajo që po synohet me u mbërri është një kontratë definitive mes dy vendeve ku do të inkorporohen këto elemente. Edhe nëse aty është parapara që borxhi ekonomik është me një shifër, atëherë atë vendim do të mund ta ndryshojë vetëm gjykata pa folë për këto anët emocionale për historinë e të drejtat e krejt këto. Ju kisha lutë, keni një raport, vlerësone por jepni edhe rekomandimet se si duhet të ndodhë procesi i ardhshëm”.
“Kryetari i qeverisë nuk e ka mundësinë me u marrë vetëm me këtë. Do ta ndihmojmë. Ta merrni pronësinë mbi këtë proces. Ju siguroj që nëse një parlament e merr një vendim e keni forcu pozicionin e Kosovës në tema, por ndihmoni edhe për atë që votuesit e juaj presin prej juve”.
Deputeti nga radhët e PSD-së, Dardan Molliqaj, tha se i gjithë procesi është duke shkuar mbrapsht. Kjo për shkak se, sipas tij, në vend që të diskutohej për atë se kush duhet me udhëheq duhet të diskutohet për çka do të bisedohet me Serbinë, raporton EO.
“Rezoluta e propozuar nga grupi ynë tenton me normalizu situatën. Jeni mbrapsht tu shku. Pa e vendosë mënyrën e vendimmarrjes. Duhet me ditë çka po kërkojmë, si është vendimmarrja e në fund kush me e drejtu këtë. Ka gatishmëri në këtë çështje. Nuk është çështje se kush po e drejton parimet është se çka gara është mbrapsht gara është kush po i then kamtë për me udhëheqë”.
Molliqaj u ka bërë thirrje dy partive të tjera opozitare që të bashkohen e së bashku të hartojnë një platformë se si të veprojnë më tutje si opozitë.
“Meqenëse nuk është bërë platforma, hajde të ulemi partitë opozitare, hajde ta ndërtojmë platformën tonë të veprimit për zgjedhje, për çkado. Nëse doni me rrëzu e shkon më akuzon, kjo i bjen që ti s’po do me i marr votat e PSD-së. Çështja është që me bashku këtë opozitë. Nëse bashkohet opozita për me pshtu, me nal të këqija në këtë vend është përgjegjësi e secilit prej neve. Po ju bëj ftesë që të ulemi e të diskutojmë nëse e keni përnime”.
Molliqaj e ka cilësuar të gabueshme çështjen e Luginës së Preshevës.