Molliqaj reagon për marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel: Avancim i autonomisë së Veriut

Prishtinë | 21 Qer 2022 | 13:50 | Nga Ekonomia Online

Kosova dhe Serbia sot në Bruksel kanë miratuar udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë elektrike në veri.

Për këtë marrëveshje ka reaguar kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj. Sipas Molliqajt, marrëveshja për energjinë është avancim i autonomisë së Veriut.

“Kemi thënë në krye të herës që Kurti është vazhdimësi e marrëveshjeve të pjesshme, të cilat vizatojnë hartën e Kosovës mbi baza etnike. Përmes kësaj marrëveshjeje Kurti po institucionalizon statusin e veçantë të komunave veriore të Kosovës. Ai po kujdeset që marrëveshjet që dikur mbetën vetëm tekste pa fuqi politike, të marrin jetë”, ka shkruar ndër të tjera Molliqaj.

“Marrëveshja për Energjinë e Asociacionit. Kristal e qartë. Marrëveshja për energjinë është avancim i autonomisë së Veriut. Udhërrëfyesi për energjinë na tregoi udhën që ky dialog po e ndjekë. Koordinatat e një marrëveshjeje përfundimtare tashmë kanë dalur në sipërfaqe. Nuk la vend për hamendje e spekulime. As për interpretime. Ajo çka dihet është që asnjë marrëveshje që ka në qendër paqen mes popujve nuk lejon krijimin e entiteteve autonome në hapësirën shtetërore të një vendi tjetër. Asociacioni i komunave me shumicë serbe e ka thelbin tek kjo natyrë politike. Përjetësimi i konfliktit është ushqim për politikanët autoritar si Kurti e Vuçiq. Kemi thënë në krye të herës që Kurti është vazhdimësi e marrëveshjeve të pjesshme, të cilat vizatojnë hartën e Kosovës mbi baza etnike. Përmes kësaj marrëveshjeje Kurti po institucionalizon statusin e veçantë të komunave veriore të Kosovës. Ai po kujdeset që marrëveshjet që dikur mbeten vetëm tekste pa fuqi politike, të marrin jetë. Përderisa procesi i kaluar negociator e kishte si qasje politike arritjen e marrëveshjeve përmes pjesëve të ndryshme. Procesi i tanishëm në krye me Kurtin ka si strategji këtë qasje: marrëveshjet për tema të veçanta si arritje më e lehtë dhe disi e padallueshme e perfide e marrëveshjes finale, pa u dalluar efektet aty për aty. Ky është popullizmi. Ky është rreziku. Pushtetit të ri iu dashtë pak kohë për ta rrëzuar tërë ligjërimin e ndërtuar pikërisht ndaj kësaj qasjeje dhe kësaj përmbajtjeje që sot e firmosi. Nënshkrimi i Qeverisë së Kosovës nuk na përfaqëson”, ka shkruar Molliqaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme