Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, mëngjesi e së premtes e ka filluar me një vizitë punë në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
Haradinaj tha se reduktimet e fundit të rrymës janë të papranueshme dhe nuk do të tolerohen, raporton Ekonomia Online.
Barra kryesore për mosfurnizim me rrymë është e KEK-ut, tha ai, duke kërkuar përgjegjësi nga drejtori i kësaj kompanie Njazi Thaqi.
Madje shefi i Qeverisë i tha Thaqit se nëse nuk vihen në funksion dy blloqet e KEK-ut dhe nuk ka furnizim të rregullt me rrymë do të jenë në telashe të dy.
“Qëllimi i ardhjes këtu është me e pa si është puna, si është dinamika në prodhim. U njoftova se shpejti do të lëshohet edhe një bllok, të hënën. Aktualisht siç e pamë janë 530 megavat, kjo i bien qe edhe 400 të tjerë duhet të sigurohen nga importi, se minimumi 900 është konsumimi”.
“Importi i ka dy të këqija, e para se është import e prish bilancin tregtar edhe shkakton pasoja për ne, por tani në dimër importi i energjisë është i shtrenjtë”.
“Kërkesa ime për drejtorin është që të lëshojnë në prodhim, çdo bllok të mundshëm, edhe të luftohet për çdo megavat të vendit. Prej 15 dhjetorit janë 800 megavat prodhim i Kosovës. I kuptojmë që janë pajisje të vjetra. Të bëhet kujdes që të shtim sa më shumë megavat në prodhim. Nuk është mirë hyjnë një bllok, bien një tjetër”.
“KEDS është një kompani e jona tashmë, por është investim i huaj ai ka ardhur me bo biznes me bo pare dhe ka obligime ndaj konsumatorit dhe ndaj nesh”.
“Barra kryesore për mos furnizim me rrymë është e KEK-ut. Por gjatë këtij dimrit nuk bënë me dështuar. Vitin e kaluar e kemi pasë mungesën e qymyrit, tash nuk e kemi atë gjendje por nuk bënë me na dështuar sidomos këtë dimër”.
“Drejtor s’kem qare pa u prish nëse nuk na dhez, ma mirë mos me pasë probleme se atëherë në telashe jemi dytë”.
Përderisa mbrëmë u raportua se Haradinaj ka bërë të ditur se është duke u hetuar KEDS-i për shkak të mosfurnizimit të rregullt me energji elektrike dhe se për shkak të kësaj çështje është duke u interesuar Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit.
Ai sot tha se mosfurunzimi me rrymë nuk do të tolerohet, por nuk përmendi hetimin e mundshëm të kësaj kompanie.
“KEDS është operator, kompani që ka ardhur nga jashtë e që ka investuar këtu, sa është këtu është e jona. Por ata duhet me kuptuar që konsumatori dhe obligimet e marra duhet me u respektuar, nuk është tash që ata e kanë të drejtë me punuar në bazë të pikëpamjes së vet. Çdo kontratë i ka dy palë, prandaj Kosova edhe konsumatori duhet me u respektuar”.
“Nëse është rryma shtrenjtë nëpër tregjet e tjera mos me ble rrymë hiq e mos me i furnizuar njerëzit, kjo u dashtë menduar me kohë e jo me ndodh tash, por me ta ndal rrymën 6 orë në pikë të ditës, kjo është problem, atëherë do të hasim në probleme serioze. Jo se unë kom thanë po mërdhitën njerëzit”.
Ndërsa Njazi Thaqi, drejtor i KEK-ut tha se ka njoftuar kryeministrin me gjendjen e termocentraleve, raporton EO.
“E falënderoj kryeministrin për kujdesin dhe vizitën e tij. E njoftova kryeministrin për aktivitetet tona, për prodhimin aktual, problemet që i kem, planifikimet dhe masat që i kemi marr që ta kalojmë një dimër sa me të mirë”, tha ai.
Vizita e Haradinajt në këtë institucion vjen në kohën kur vendi ka pasë probleme me furnizim me energji elektrike.
Shefi i Qeverisë ditë më parë ka zhvilluar një takim pune me përfaqësuesit e KEK-ut, KEDS-it, ZRRE-së dhe KOSTT-it, ku ka kërkuar zgjidhje të menjëhershme që të sigurohet stabilitet në furnizim me energji elektrike.