Haradinaj: Dyshoj se Kurti i shërben agjendës serbo-ruse

Prishtinë | 17 Dhj 2022 | 21:57 | Nga Ekonomia Online

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një intervistë për gazetën “Blic” ka hedhur dyshime se lëvizjet politike të kryeministrit Albin Kurti në pjesën veriore të Kosovës “po i shërbejnë agjendës ruse dhe serbe”.

“Dihet se agjendat e Serbisë se çka kanë qëllime në veri. Nuk është se ai, Kosova dhe bota nuk i dinë qëllimet e Serbisë. Veprimet e këtij të vetme pa amerikanë janë të dëmshme”.

Nga barrikadat e vendosura nga serbët lokalë, pjesëtarët e Policisë së Kosovës mbetën të bllokuar pa pasur mundësi të kenë qasje në pjesën tjetër të territorit të Kosovës, prandaj Haradinaj vlerësoi se Kurti duhej të koordinohej me Shtetet e Bashkuara.

“Sikur Kurti ta kishte përcjell agjendën amerikane, mos me marrë veprimin për tabela, e t’i kishte ndërmarrë këto veprime Serbia, krejt faji do të ishte te Serbia dhe përkrahja e bashkësisë ndërkombëtare do të ishte te na”.

“Besoni sot do të ishte ndryshe Veriu, Kurti po luan fshehtas me amerikanët. Faleminderit prej tyre se me gjithë këto budallaki të këtij njeri (Albin Kurtit), prapë po vazhdojnë të ruajnë sovranitetin, integritetin dhe kufijtë tanë”, shtoi ai.

Duke komentuar kërkesën e komunitetit ndërkombëtar për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Haradinaj shprehet optimist se Kurti – megjithatë – do ta themelojë, por sipas tij, vetëm do t’ia ndryshojë emërtimin.

“Unë besoj se Kurti do ta nënshkruaj marrëveshjen Kosovë-Serbi e cila ka brenda edhe AKShS, duke manovruar me gjuhën, duke e quajtur vetëqeverisje ose diçka ndryshe, por duke nënkuptuar një organizimin të komunave të pakicës serbe në Kosovën por brenda kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”.

Haradinaj është ndalur edhe tek propozimi franko-gjerman (evropian) për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë për të cilin theksoi se “në përmbajtje ka njohjen edhe reciproke dhe njohjen de fakto dhe de jure“.

Të ngjashme