Haradinaj e konfirmon takimin me Escobarin në ora 19:00 – “Mirëpresim angazhimin e ShBA-së për finalizimin e dialogut”

Prishtinë | 13 Mar 2024 | 10:48 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, do të marrë pjesë në takimin me Emisarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili do të zhvillojë takim me partitë opozitare.

Ekonomia Online mëson se takimi do të mbahet në Rezidencën e Ambasadorit të ShBA-së, Jeffrey Hovenier, në lagjen Arbëria, nga ora 19:00.

Lideri i Aleancës ka theksuar se angazhimi i ShBA-së është kyç për finalizimin e procesit të dialogut.

“E mirëpresim angazhimin e ShBA-së për finalizimin e procesit të dialogut me Serbinë, i cili duhet të përmbyllet me njohje reciproke. Angazhimi i emisarit Escobar është kyç dhe e falënderojmë për gatishmërinë e tij për ta ndihmuar Kosovën në synimet e saj”, ka thënë Kushtrim Xhemaili, zëdhënës i AAK-së, për Ekonomia Online.

“Kryetari Haradinaj me kënaqësi ka pranuar ftesën për takim sot në ora 19:00”, shtoi ai.

Të ngjashme