Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, mori pjesë në fillimin e punimeve në rrugën “Bujar Roka” në Gjakovë, një investim prej 3.5 milionë nga Qeveria dhe Ministria e Infrastrukturës, raporton Ekonomia Online.
Haradinaj tha se në Gjakovë po fillon puna e një arterie të qytetit që është shumë e nevojshme.
“Kjo ditë është e mirë në Gjakovë sepse fillon puna e një arterie të qytetit e nevojshme, do të ketë edhe tjera që janë në proces. Gjakova ka plagë të pambyllura e të pagjetur, ka të rinj qe presin për punë, e mbara ka fillu me rritjen e besimit të Aleancës në Gjakovë dhe me nivelin nacional”, tha ai.
Ju jeni meritore për këto, sikur të mos ta kishim nxënë secilin hap ndoshta nuk do ishim këtu, zgjerimi i rrugës për në Dollc nuk është i vogël, për me u zgjerua dhe me ndodh gjitha këto arterie prapë ju e keni marrë vendimit kur e përkrahet Aleancën, Lekajn e kryetarin Ardianin”
“Tash e keni me lehtë sepse nuk jeni duarthatë, dhe mund të tregoni se çka të votoni, jo të votoni parti, por për një shtet 100%. Mobilizohuni të gjithë, mendoni për Gjakovën, vendosni për vete dhe për një shtet 100%. Mos bëni kompromise në kualitet, ruani në kualitet, bëjeni rrugët për fëmijët tuaj dhe për juve”.
Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit (MIT), Pal Lekaj, tha se premtimet e bëra para dy vjetëve po realizohen.
“Para dy viteve u kam premtuar në Gjakovë ndoshta nuk ka keni besuar, sot pas dy viteve gjitha projektet u bënë realitet dhe e falënderojmë Haradinajn. Gjakovës i është premtuar një projekt gjigant dhe e tërë klasa politike është kundër atij projekti, autostrada e Dukagjinit, ne besojmë në Haradinajn dhe kjo autostradë do të bëhet deshën apo nuk deshën. Haradinaj nuk do të jetë vetëm por do të ketë prapa qytetarët e Gjakovës 100%”, tha ai.
Kryetari i Komunës se Gjakovës, Ardian Gjini, tha se këto investime kalojnë shifrën e 100 milionëve.
“Këto investime kalojnë shifrën e 100 milionëve dhe jo vetëm pas luftës, por asnjëherë një periudhë 18 mujore nuk ka pasur vëllim më të madh për këto punë, për herë të parë na u është gjet qeveria e Kosovës, nuk do ishin kryer këto punë po të mos ishte kryeministri dhe ministri”, tha Gjini.
“Rruga e mbyll qarkoren e brendshme të Gjakovës”, shtoi ai.
“3.5 milionë është investimi, kontraktor është Qeveria e Kosovës”, tha ai.