Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar ulje të pagës për të gjithë punëtorët e Telekomit të Kosovës (ish-PTK).
Pas mbledhjes së Qeverisë, Haradinaj është pyetur nëse do ta ndërmarrë një veprim për uljen e pagave, të cilat sipas ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, kalojnë 1000 euro mesataren.
Kjo ndërmarrje, dikur më profitabilja, aktualisht ka miliona euro borxhe, ndërkohë që vazhdon të shtojë numrin e punëtorëve dhe të mbajë paga tepër të larta për standardet e Kosovës.
Haradinaj ka thënë se sindikatat dhe menaxhmenti i kësaj kompanie nëse duan ta mbajnë “gjallë” ende këtë kompani duhet të ndërmarrin disa veprime ku sipas kryeministrit njëri ndër to do të jetë ulja e pagave.
“Për qejf ja u kisha rrit jo veç atyre, por të gjithëve në Kosovë, problemi është parimi që e përmenda më herët, unë kam me qenë në këtë anë kur duhet me zgjedh, a po pranojmë bankrotimin e kësaj kompanie, bakrotim me ja vënë drynat me e mbyllë edhe ka plot kompllote me e bankrotu me e mbyllë këtë kompani”.
“E mund të ketë edhe të tjerë brenda kompanisë që ndoshta janë shitë, që po duan me e bankrotuar dhe me i dërguar 3 mijë veta në shtëpi ose mbi 2 mijë se një privat nuk i mban gjithë ata në punë. Unë po dua me e mbijetuar këtë kompani, jo unë por qeveria. Ulja e pagave, është vetëm njëra prej veprimeve, ulje të kostove, shpenzimeve kush e di çka tjetër që Telekomi me qenë në vete profitabil”, ka deklaruar Haradinaj
“Ne duhet me vendos një rregull, një disiplinë në këto kompani që me përfillë instancat dhe vendimet. Nuk kam asnjë shqetësim për shkak se ka mendime të caktuara”.
“Edhe nuk është proces i lehtë nuk varet vetëm nga unë, nëse nuk e kam mirëkuptimin e sindikatave e të menaxhmenti dhe të bordit të Postës, nëse ata duan në rregull edhe unë pajtoj me ta nëse duan me e bankrotuar, por nëse donë me e mbijetuar kompaninë duhet t’i marrim këto masa. Pra ulja do t’i përfshinë të gjithë jo veç shefat”, ka deklaruar Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj nuk ka dhënë ndonjë përgjigje të saktë se kur do të ketë sigurim për policët. Ai tha se janë duke u marrë me këtë çështje, mirëpo, sipas tij, duhet një kohë për t’u arritur si dhe ka implikime buxhetore, raporton Ekonomia Online.
Sa i përket korrigjimit të kufirit me Malin e Zi, Haradinaj ka bërë të ditur se procesi për këtë çështje ka filluar. Sipas tij, ky proces është i rëndësishëm për të dy palët.
“Korrigjimi është proces që ka filluar. Nuk është çështje e kryer sepse duhet me u shënu vija. Vija shënohet nga dy palët dhe të dy palët kemi interes. Sa më shpejt që e kryejmë është mirë për të dy palët”.