Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, ka thënë se ka bërë një lëvizje politike, duke pranuar kërkesën e LDK-së që t’i hapet rrugë votimit të Ligjit për Demarkacionin në seancën e radhës në Kuvend.
Haradinaj ka shpjeguar se me kërkesë të LDK-së, raporti i komisionit të udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi do të shërbejë vetëm “si orientim” për informim të deputetëve, raporton Ekonomia Online.
“E kam bërë një dakordim me kërkesë të LDK-së. Besoj se me këtë u kemi hapur mundësi qytetarëve të lëvizin. Në nenin 3, pika 1.2 ku thotë se dokumentacioni do të përdoret si orientim. Pra vetëm kjo është shtuar e që ka qenë kërkesë e LDK-së në mënyrë që të ecim përpara”.
“Përfundimisht është hequr pengesa e fundit politike që të arrihet një konsensus me LDK-në në Parlament që të votohet Ligji për Ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi, ligj ky që përmban pos marrëveshjes edhe Raportin e Komisionit Shtetëror (të udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi) si orientim dhe deklaratën e dy presidentëve”, tha Haradinaj.
“Unë kam bërë një lëvizje politike, kam bërë një dakordim me kërkesë të LDK-së. Kërkesa e tyre është kjo me të cilën jam dakorduar dhe me këtë iu kemi hapur mundësi deputetëve që të lëvizin”.
“Në ligjin që iu është prezantuar deputetëve, në nenin 3, dokumentacioni i Komisionit Shtetëror është shtuar “si orientim”. Kjo ka qenë kërkesa e LDK-së, si të tillë e kemi pranuar që të ecim përpara”, tha kreu i Qeverisë dhe i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
I pyetur nga gazetarët, Haradinaj tha se konsideron se ka qenë e panevojshme të ndryshohet kjo pikë, por e ka mbështetur kërkesën e LDK-së për t’i hapur rrugë konsensusit.
“Kemi një ndryshim substancial, kemi dakordim me LDK dhe pas kësaj besoj se janë krijuar mundësitë për ratifikimin e marrëveshjes”, tha Haradinaj, duke shfaqur besimin se marrëveshja që i hap rrugë liberalizimit të vizave për kosovarët do të votohet të mërkurën.
Shefi i Qeverisë e pranoi se nuk ka ende mbështetjen e Listës Serbe, e cila as nuk mori pjesë në seancën e kaluar.
“Ende nuk kemi konsensus me Listën Serbe. Nuk e di a do ta kemi sot apo kur. Ta shohim kur jemi në seancë dhe të shohim votat, vështirë tash me fol”, u shpreh ai.
Për kalimin e Ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, si marrëveshje ndërkombëtare nevojiten së paku 80 vota të deputetëve, si dhe shumica e dyfishtë.