Haradinaj e pyet për gazsjellësin Shkup-Prishtinë, Kurti: Pas një muaji nënshkruajmë kontratë me MCC-në

Prishtinë | 22 Qer 2022 | 13:32 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj në seancën e Kuvendit të Kosovës që po mbahet sot, e ka pyetur shefin e Qeverisë së Kosovës, Albin Kurtin, nëse është gjetur ndonjë mënyrë e re e financimit të projektit për gazsjellësin Shkup-Prishtinë, raporton Ekonomia Online.

“A ka ndonjë mënyrë të re të financimit të gazsjellësit Shkup-Prishtinë”, ka qenë një prej pyetjeve të Haradinajt.

Lidhur me këtë pyetje është përgjigjur kryeministri Albin Kuri, i cili ka thënë se edhe nëse do të bëhet gazsjellësi, ndërtimi nuk do të fillonte sivjet, derisa ka thënë se pas një muaji do të nënshkruajnë marrëveshjen me MCC-në.

“Sa për gazsjellësin, edhe nëse do të bëhet, ndërtimi nuk do të fillonte sivjet. Por pas një muaji do të nënshkruajmë në Washington DC marrëveshjen me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit”, ka thënë kryeministri Kurti në seancë.

Mes tjerash, Haradinaj u interesua edhe për rishikimin e buxhetit dhe koston e ligjit të pagave.

“A do ta rishikoni buxhetin dhe a do të përfshini koston e ligjit të pagave? Rritja e kostos dhe sa kushtojnë të gjitha pensionet bazë pagës minimale. A do të mund t’i ndani buxhet ushtrisë? A ka pengesa që vendimi që është legjitim për fondin për siguri është problem me e bë. A jeni në dijeni që keni vonesa në implementim të buxhetit”, ishin disa nga pyetjet tjera, raporton EO.

Kryeminstri Kurti tha se janë në pritje të miratimit të ligjit të pagave, i cili do ta ketë edhe buxhetin e vet si dhe presin kalimin e rishikimit të buxhetit në lexim të dytë.

“Ne kemi sjellë në kuvend rishikimin e buxhetit dhe pritet të kalojë në lexim të dytë. Na hapë rrugë të kalojmë sa më lehtë krizën. Kurdo që miratohet ligji i pagave do ta ketë edhe buxhetin. Po presim miratimin e marrëveshjes së Bankës botërore për skemë sociale. Mbrojtje dhe policinë e kemi rritur buxhetin për këtë vit. Sa i përket fondit të sigurisë dëshirojmë të vijë sa më shpejt dhe do e shohim sa është e mundur. Për blerje të armatimit ka pengesa ligjore e procedurale por edhe tek shtetet që jemi të interesuar të pajisemi”, tha Kurti.

Të ngjashme