Haradinaj: Ekziston rreziku i dominimit ekonomik të Serbisë në mini-Shengen

Prishtinë | 22 Sht 2020 | 22:34 | Nga Ekonomia Online

Kryetari në detyrë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin ekonomik meriton një kritikë, kjo pasi nga kjo marrëveshje u hoq pika 10 që parashihte njohjen reciproke.

Haradinaj në Rubikon të Klan Kosovës tha se kur kontrata ishte në tavolinë duhej të kërkohej më shumë nga kosovarët.

“Kjo marrëveshje meriton një kritikë – ajo është që u hjek pika 10”.

“Nëse është një kontratë në tavolinë dhe nuk kërkon më shumë është gabim. Pika 10 ka qenë sukses i madh që ka qenë pjesë e dokumentit – njohja reciproke ka qenë pikë e rëndësishme”.

“Kanë ndodhur disa zhvillime – por mund të them se procesi nuk ka përfunduar. Duhet me bë kujdes edhe në procese të ardhshme, nuk guxon Kosova të mos jetë besnike ndaj pikave të agjendës”.

“Trajektorja e dialogut – kam paqartësi këtu, ne e quam dialogun deri në Shtëpinë e Bardhë, u arrit një marrëveshje historike”.

“E kam dit me çfarë ballafaqohet qeveria e Kosovës me pas qenë gjuha më e mirë për Ujmanin mbase kjo temë do të ishte më e mirë. Asnjë element të ndonjë të drejte që bien ndesh me Kushtetutën në asnjërën nuk e ka shkel Kosova”.

Haradinaj foli edhe për mini-Shengenin ku theksoi se ekziston një rrezik i dominimit ekonomik nga ana serbe, teksa ftoi investitorët nga Shqipëria dhe diaspora të investojnë në Kosovë.

“Sa i përket mini-shengenit ekziston rreziku i domonimit ekonomik të Serbisë. Marrëveshja e mini-shengenit është vetëm zbatim i disa dokumentave”.

“Mini-shengeni në zbatim ka disa pika që mund të zbatohen kur jemi pjesë e BE-së, disa etapa mund të fillojnë sot nëse disa vende e zbatojnë”.

“Në kuadër të mini-shengenit disa pika janë në disfavor të Kosovës, dhe ekonomikisht e favorizojnë Serbinë”.

“Korridoret e gazit me Shqipërinë e unifikojnë tregun, u bëjë thirrje investitorëve nga Shqipëria të vijnë në Kosovë dhe diasporat i bëjë thirrje ashtu siç nuk e kanë lënë Kosovën në kohëra të vështira ju bëjë thirrje ta shfrytëzojnë këtë momentum të investimeve Amerikane që mos ta lejnë Kosovën vetëm dhe të investojnë”, deklaroi Haradinaj.

Mes tjerash Haradinaj tha se edhe pas njohjes reciproke do të ketë çështje të pazgjedhura me Serbinë.

“Serbia e ka një agjendë të veten, mendoj se Vuçiq po shkon duke fituar kohë po i bën hapat e domosdoshëm s’ka mujt mos me i bo këta hapa në Amerikë, mirëpo po e len si pjesë-pjesë ai po shkon në një normalizim po njohjen e plotë do ta bëjë para anëtarësimit të Serbisë në OKB”.

“Ai po fiton kohë duke na zhagit neve, shkuarja në SHBA dhe kthimi tek Lajçaku po i jep kohë Serbisë”.

“Edhe pas njohjes reciproke kanë me mbete pika të pazgjedhur mes Kosovës dhe Serbisë pasi kemi shumë çështje të pazgjidhura”.

“Për çështje politike duhet me pyt Brukselin, se çfarë punë duhet me kry para pikës 10 dhe pas. Qeveria e Kosovës duhet të bëjë pyetje se çfarë duhet të ndodhë derisa të arrijmë në pikën 10 dhe çfarë duhet të bëjmë pas kësaj pike”, deklaroi Haradinaj

Të ngjashme