Dega e AAK-së në Gjakovë ka shënuar 20-vjetorin e themelimit. Prezent ishte edhe kryetari i partisë, Ramush Haradinaj.
Haradinaj, ka vlerësuar lart Gjakovën, duke thënë se është privilegj për partinë që ai e udhëheq, që ta ketë besimin e këtij qyteti për të qeverisur.
“Gjakova ka qëndru besnike e Aleancës. Është privilegj i madh me të besu Gjakova, me të shpallë fitues, me ta dhanë të drejtën me qeverisë me Gjakovën”, ka shkruar ai.
Haradinaj, ka thënë se me Gjakovën e lidhë shumëçka, duke nisur nga përpjekjet për liri dhe pavarësi.
Ai ka thënë se AAK shpreh respekt për të gjithë që sakrifikuan.
“Me Gjakovën na lidhë shumëçka, edhe rrua e drejtë për liri. Ne shprehim respekt për sakrificën e madhe të të gjithëve për liri, shprehim respekt për familjet e të rënëve për liri, dëshmorë dhe martirë, njëkohësisht bashkëndjejmë me familje që kanë të pagjetur ende dhe që i vuajnë plagët e asaj kohe”, ka shkruar kryetari Haradinaj.
Haradinaj nuk ka harruar të përmend edhe disa prej sukseseve të qeverisjes komunale të Gjakovës, që drejtohet nga Kryetari Ardian Gjini.
Ai ka shprehur lavdata edhe për menaxhimin e pandemisë nga kjo komunë.
“I gëzohem suksesit të qeverisës së Aleancës në Gjakovë. I gëzohem veprave të mira, i gëzohem faktit se po takohemi në këtë vend, që tash është një kopsht i mirë në mes të qytetit. I gëzohem faktit për stadiumin e Gjakovës që është prej më të mëdhenjve në Kosovë. I gëzohem menaxhimit të suksesshëm të pandemisë”, ka thënë ai.