Kandidati për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka falënderuar gazetarët për punën dh angazhimin siç ka thënë ai të jashtëzakonshëm për të mbuluar fushatën zgjedhore në Kosovë të zgjedhjeve jetike për vendin.
Postimi i plotë i Haradinaj:
E vlerësoj gatishmërinë dhe korrektësinë tuaj për të informuar qytetarët për programet politike dhe në veçanti për rëndësinë që ka vota e tyre në përkrahje të procesit zgjedhor.
Padyshim, roli i mediave dhe i gazetarëve, në periudhat e ndryshme kohore; të luftës për lirinë dhe pavarësinë, për ndërtimin e shtetit të Kosovës, për krijimin e një shoqërie demokratike, gjithëpërfshirëse dhe pjesë të botës së zhvilluar, ka qenë i madh dhe i jashtëzakonshëm.
Dua që të shpreh mirënjohjen time të thellë dhe të kujtoj të gjithë ata gazetarë e punonjës të mediave, vendore e ndërkombëtare, që humbën jetën duke bërë punën e shenjtë dhe fisnike të informimit të qytetarëve.
Të dashur gazetarë,
Sot gjendemi përballë sfidës më të madhe për vendin tonë; atë të zhvillimit ekonomik dhe të mirëqenies së përgjithshme për qytetarët tanë. Nuk kemi kohë për të humbur më. Ju inkurajoj që të vazhdoni të jeni luftëtarë të informimit, të ruajtjes së vlerave dhe të forcimit të shoqërisë.
Ju bëj thirrje të gjithëve që gjatë mandatit tim si Kryeministër i Republikës së Kosovës, të vazhdoni të luani rolin tuaj thelbësor të kontrollit demokratik të pushtetit dhe të jeni zëri kritik i shoqërisë.
Ju premtoj se do të jem i hapur për bashkëpunim dhe transparent në informimin e drejtë të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Sinqerisht,
Ramush Haradinaj