Haradinaj falënderon pjesëtarët e KFOR-it dhe NATO-s që i kanë shërbyer paqes në Kosovë

Prishtinë | 18 Tet 2018 | 16:10 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Ramush Haradinaj mori pjesë në organizimin për nder të Ditës së Mysafirëve të Nderuar – Ushtrimi “Shpata e Argjendtë”, që ka për qëllim mundësimin e trajnimit dhe ushtrimin e situatave emergjente, që përfshijnë bashkërenditjen ndërinstitucionale të organizatave të sigurisë në Kosovë në bashkëpunim me Ekipin Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s në Kosovë (NALT), dhe organizatat tjera ndërkombëtare në Kosovë.

Kryeministri Haradinaj, me këtë rast tha se në emër të çdo qytetari të Kosovës, falënderon të gjithë burrat dhe gratë e KFOR-it, NATO-s, që i kanë shërbyer paqes në shtetin tonë, transmeton Ekonomia Online.

Haradinaj theksoi se Kosova respekton dhe nderon sakrificën e burrave dhe grave dhe në veçanti të atyre që kanë humbur jetën duke shërbyer, prandaj shteti ynë gjithmonë do t’i përkujtojë ata si njerëz që kanë ndihmuar, që sot të jetohet në paqe.

“Kosova është një shtet, shoqëri multietnike, i kemi dallimet tona, jemi mësuar të jetojmë në diversitet dhe gjithashtu duke respektuar njëri-tjetrin”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se vendi ynë ka pasur edhe tragjedi, por është punuar dhe po punohet, duke i kushtuar vëmendje të mirë të ardhmes së ndritshme.

Duke qenë krenar sot, për faktin se jo vetëm që të gjithë këtu, të cilët shërbejnë me uniformë në Kosovë, shërbyen për paqen, kryeministri Haradinaj tha se ata ndihmuan edhe me ekspertizën, trashëgiminë, duke u shprehur gjithashtu se këtu i kanë edhe partnerët e tyre, Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Duhet të jeni krenarë për atë që keni arritur si NATO, si KFOR në Kosovë dhe rajon”, tha kryeministri Haradinaj.

Haradinaj, po ashtu shprehu kënaqësinë se Shpata e Argjendtë 18-2 nuk është vetëm një ushtrim, por dëshmi dhe përkushtim i asaj që do të jetojë përgjithmonë, duke konfirmuar se Kosova, të gjitha Agjencitë e sigurisë, 17 prej të cilave sot janë këtu, do të vazhdojnë me këtë trashëgimi.

Haradinaj tha se kjo që sot po trashëgohet do të na ndihmojë të ballafaqohemi me emergjencat, që janë fatkeqësi natyre apo krizave të tjera dhe do të vazhdohet kështu së bashku me këtë që është mësuar gjatë dy dekadave.

Komandanti i KFOR-it, Salvatore Cuocci, tha se përkundër të gjithave, kanë arritur që të prezantojnë këtë ushtrim në nivelin më të mirë të teknologjisë dhe profesionalizimit, sepse është menduar se kjo është mënyra e duhur që të bëjnë një shtet model dhe institucion model se si të përballet me situatën dhe kështu ata janë munduar që t’i transferojnë këto kapacitete.

Më tej, komandanti i KFOR-it falënderoi të gjithë ata që ishin pjesë e këtij ushtrimi, duke thënë se vullneti për të marrë pjesë në ushtrim, për t’i rritur kapacitetet dhe për t’u përballur me problemin, ishte madhështore.

Migrimi, vërshimet dhe siguria kibernetike, ishin tri çështje kyçe që janë trajtuar gjatë këtij ushtrimi dhe janë prezantuar shembuj nga këto ushtrime, si dhe mënyra e komunikimit të këtyre situatave në media.

 

Të ngjashme