Kryeministri i sapozgjedhur i Kosovës, Ramush Haradinaj, është paraqitur në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, në kohën kur opozita ka thirrur një seancë të jashtëzakonshme për të debatuar lidhur me “parimet programore” të Qeverisë Haradinaj.
Por, Haradinaj e ka quajtur të pakuptimtë thirrjen e kësaj seance, raporton Ekonomia Online.
“Ftesa për një seancë të tillë është e pakuptimtë dhe ne nuk e shohim të arsyeshme të marrim pjesë”, tha Haradinaj, i cili është paraqitur para gazetarëve i shoqëruar nga dy zv.kryeministrat Enver Hoxha dhe Fatmir Limaj.
“Dje ishte seanca për zgjedhjen e Qeverisë. Sot na kanë njoftuar se ka ftesë edhe për një seancë, e cila është mjaft e habitshme sepse kërkesa për ndërprerje të debatit ishte bërë nga opozita. Dhe ne nuk e shohim të arsyeshme të marrim pjesë”, tha Haradinaj.
“Dje e pamë si shkoi rrjedha e Parlamentit dhe kjo seancë e sotme është e pakuptimtë”.
Kuvendi i Republikës së Kosovës, sot në orën 12:00, do të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme, sipas kërkesës së 53 deputetëve nënshkrues.
Kështu vendosi Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të saj, të drejtuar nga kryetari Kadri Veseli.
Veseli vlerësoi se kërkesa e parashtruar i plotëson kushtet procedurale. Në këtë seancë do të debatohet lidhur me “Parimet Programore të Qeverisë së Republikës së Kosovës 2017-2021”, të prezantuar në seancën e 9 shtatorit 2017.