Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka përkujtuar Jusuf dhe Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën në 36 vjetorin e vrasjes.
Sipas Haradinajt, 17 janari është data që shqiptarëve ua kujton zinë por edhe guximin.
Postimi i Haradinajt në Facebook:
17 janari është data që u kujton shqiptarëve zinë, por edhe guximin. Guximin për t’i tubuar e për t’u prirë shqiptarëve.
17 janari i lidhë tre viganët e Kosovës, Jusuf e Bardhosh Gërvallen dhe Kadri Zekën, me Gjergjin Kastriotin, në të njëjtën nyje – flijimin për atdhe.
Gërvallajt dhe Zeka, ata tre burra qe me fenerë të ndezur, në mendje e zemër, na e kanë dëftuar rrugën për të arritur lirinë kombëtare. Ata ishin lajmëtarët e lirisë së Kosovës.
Lavdi heronjve të Kosovës Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.