Anëtari i AAK’së, Daut Haradinaj, ka thënë se ideja për shërbim të detyrueshëm, e propozuar sot nga lideri i VV’së, Albin Kurti, është e vjetruar dhe se dikush që nuk ka luftuar, mund të mendojë një gjë të tillë.
Në një prononcim për Gazetën Metro, Haradinaj ka thënë se Kosova e ka ushtrinë e saj profesionale me standarde të NATO’së.
“Kosova e ka ushtrinë e vet profesionale me standarde te NATO’s, e trajnuar dhe e përgaditur për të gjitha sfidat që e presin, po ashtu e ka komponenten rezervë që është e paraparë të mobilizohet në rast nevoje”, ka thënë ai.
Tutje, Haradinaj ka shtuar ideja për shërbim të detyreshëm që e dha sot Kurti, është e vjetër, teksa e ka pyetur se si do t’ia bëjnë fëmijët e tij për këtë gjë.
“Ideja për shërbim të detyrueshëm është e vjetër, ndoshta dikush që nuk e mori pushkën por zgjodhi burgun dhe mundet me mendu një gjë të tillë, populli ynë ka të drejtë të dijë se si do t’ia bëj z.Kurti me familjarët e tij? Vlerat kombëtare që Kosova i ka po shihet që nuk janë në konceptin e tij, që i proklamojë plot 20 vjet”, ka thënë Daut Haradinaj.
Kujtojmë se Kurti pak më herët ka thënë se në Kosovë do të bëjë shërbim ushtarak të obligueshëm, me një kohëzgjatje prej 3 muajsh.