Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka kërkuar përgjigje nga ministri i MPB-së, Ekrem Mustafa, për kolonat e gjata në kufirin me Shqipërinë, raporton Ekonomia Online.
Ministri Mustafa tha se gjatë vizitës së djeshme në pikën kufitare kanë hasur në disa të gjetura të cilat ana shqiptare nuk i ka zbatuar prej mbledhjes së Qeverisë.
“Marrëveshja mes Kosovës dhe Shqipërisë për lehtësim të kufirit është nënshkruar më parë. Kanë kaluar 1.3 milionë persona. Gjatë vizitës së djeshme në pikën kufitare kemi hasë në disa të gjetura të cilat ana shqiptare nuk i ka zbatuar prej mbledhjes së Qeverisë. Kam biseduar me doganat me një marrëveshje që të shfrytëzohet terminali doganor i joni që kamionët të ndërprenë kolonën me kalu në terminal doganor dhe të mos kenë qasje. Nuk kemi probleme të qarkullimit. Gjatë ditës së djeshme kanë kalu 60 mijë persona që i bie se as një minutë nuk u ka ra të presin”, ka thënë Mustafa.
Haradinaj tha se nuk ka logjikë të përsëritet kjo gjendje herë pas herë derisa i kërkoi ministrit Mustafa përgjegjësi që të mos ndodhin situata të tilla.
Haradinaj ka kërkuar që të formohet një Taskë-Forcë për menaxhimin e kolonave të gjata në kufirin Kosovë-Shqipëri gjatë kohës së verës.
“Ministër nëse ju e vlerësoni krijimin e një task forcë permanente gjatë kësaj periudhe. Nuk ka logjikë të përsëritet kjo gjendje herë pas here. Duhet ta merrni përgjegjësinë që të mos ndodhin situata të tilla”, tha Haradinaj.
Zv.kryeministri Fatmir Limaj tha se është hera e katër që po bisedohet për këto cështje në takimin e dy qeverive.
“Është hera e katërt që po bisedojmë me qeverinë shqiptare. Nëse zbatohen vendimet që i kemi marrë aty nuk kemi me pasë telashe”, tha Limaj, raporton EO.