Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, që bashkë me dikasteret e kësaj ministrie, të angazhohen për t’i kuptuar arsyet e aksidenteve të shumta në trafik, raporton Ekonomia Online.
Ai kërkoi që të zbatohet plani operativ i Policisë së Kosovës dhe të zbatohen ndëshkimet si marrja e lejeve apo edhe minuse në patentë shoferë.
“Unë nuk mund të shprehi ngushëllime çdo ditë duhet të bërë një inspektim se çka po ndodh dhe veprimet e caktuara që duhet të marr qeveria për të ia marr dikujt lejen apo bërë minuse, është problem për ne për të marrë çdo ditë këso lajme”, shtoi Haradinaj.
Haradinaj i kërkoi Mustafës që të raportoj mbledhjen e ardhshme se cilat janë hapat që po merr ministria në parandalimin e këtyre dukurive të këqija dhe kërkoi informata më konkrete.
Haradinaj po ashtu shprehi shqetësimin për kolonat e gjata në pikën kufitare Kosovë-Shqipëri. Ai kërkoi që Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, e Financave dhe e Punëve të Brendshme, të aktivizohen për këtë çështje sepse moti është i mirë dhe qytetarët po presin në këto pika.
“Këtë vikend ka pas kolona të gjata në këtë pikë kufitare edhe pse e kemi heq stacionin kufitar prapë kontrollet janë të qarta probleme ka është propozuar për dy trase shtesë, ju kemi premtuar qyteteve që do ta avancojnë këtë gjendje dhe do organizohet një takim i yni i përbashkët me institucionet e Shqipërisë se si do të rregullohet kjo”, tha ai.