Kryeministri Ramush Haradinaj i ka dorëzuar raportin e punës për 100 ditë presidentit të vendit, Hashim Thaçi.
Thaçi ka vlerësuar punën që ka bërë kjo qeveri gjatë këtyre 100 ditëve, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, obligim i të gjitha institucioneve është respektimi i ligjit e Kushtetutës.
“U jam mirënjohës për punën tuaj personale, punën e ekipit tuaj, të gjithë zëvendëskryeministrave, ministrave dhe të tjerëve. Por, mund të them lirisht se nuk ka lajm më të mirë për Qeverinë e Kosovës, për të gjitha institucionet e Kosovës, për popullin tonë se në këtë 100 ditor të punës së Qeverisë të nënshkruhet marrëveshja që është punuar për një kohë shumë të gjatë, për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re”, u shpreh ai.
Haradinaj u shpreh i nderuar që në emër të Qeverisë t’ia prezantojë Presidentit raportin 100-ditor.
“Më vjen mirë që raporti i sotëm koinçidon edhe më nënshkrimin e marrëveshjes, të kontratës për investimin në termocentralin “Kosova e Re”, një investim 1 miliard e 300 milionë euro, që është investimi më i madh i huaj, projekti më i vlefshëm i Kosovës në historinë e vet dhe ndër projektet më të vlefshme në rajon dhe më gjerë. Historia po përsëritet. Pata ardhur atë kohë t’ia jepja raportin presidentit Rugova. Jam i nderuar që kam besimin tuaj”.
Ai ka theksuar se Republika e Kosovës do t’i mbajë me nder të gjitha përgjegjësitë e veta dhe e ka falënderuar presidentin Thaçi për besimin në punën e Qeverisë së Kosovës.
Më pas raportin kreu i ekzekutivit do t’ia dorëzoj edhe kryetarit të Kuvendit Kadri Veselit. Në mëngjes qeveria ka miratuar raportin 100 ditësh të punës së saj.