Kreu i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka vazhduar fushatën zgjedhore me një tubim në Istog.
I nominuari i Koalicionit PAN për kryeministër, i cili e kishte udhëhequr Qeverinë për tre muaj në kohën e presidentit historik, Ibrahim Rugova, tha se e ka bërë me nderin më të madh punën me Presidentin Rugova.
“Me nderin më të madh do t’i shërbej atdheut edhe me besimin e dhënë nga partnerët e koalicionit”, tha Haradinaj, para istogasve.
Haradinaj tha se Istogu gjithmonë ka pasur njerëz të zot, të pushkës dhe të pendës.
Ai u zotua se do t’i përshpejtojë projektet infrastrukturore, tashmë të stërzgjatura dhe të vonuara në këto treva dhe ta lidhin Istogun deri në Prizren.
“Bujqit e kësaj treve do ta kenë partner të sigurt e mbështetës për bereqetin e tyre, Qeverinë e Kosovës”, premtoi më tutje, Haradinaj.
Ai iu bëri thirrje istogasve që më 11 qershor, të vendosin “për të nisur rrugëtimin drejt së ardhmes bashkë”.