Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, iu ka kërkuar falje gazetarëve për fjalorin e tij të përdorur javën e kaluar, kur ishte pyetur për demarkacionin.
Haradinaj ka ftuar në një ndejë joformale redaktorët dhe gazetarët që e mbulojnë punën e Qeverisë. Ai tha se ky është një gjest, një shenjë falënderimi për punën që ata bëjnë.
“Dhe është shenjë e kërkim-faljes për fjalorin tim të disa ditëve më herët. Unë nuk përtoj me kërku falje. Ai që kërkon falje është i mirë”, iu drejtua kreu i Qeverisë, gazetarëve të pranishëm në njërën nga hapësirat e ndërtesës së Qeverisë .
“Dëshiroj t’i them dhe disa fjalë. Jam në stres, në stres të madh sepse gjendja nuk është e mirë. Nëse dëgjoni lajme për gjendjen në shëndetësi, në QKUK, ajo të jep stres; nëse dëgjon lajmin për mundësinë e kolapsit energjetik duke hyrë në dimër, që përveç energjisë do të humbnim 500 mijë euro në ditë”, u shpreh Haradinaj.
Por, kreu i Qeverisë ka shtuar se iu ka thënë dhe ministrave, sekretarëve të përhershëm, këshilltarëve të tij se detyra e atyre që do të punojnë me të është ta bëjnë diferencën dhe jo të tregojnë se sa keq kanë punuar ata përpara.
“Ju faleminderit për këtë ardhje. Pres që të jemi bashkë në shërbim të këtij, në shërbim të qytetarëve”, u shpreh Haradinaj.
Disa medie nuk kanë marrë pjesë në këtë ngjarje.
Haradinaj pyetet sërish për demarkacionin
Javën e kaluar, kryeministrit Ramush Haradinaj nuk i kishte pëlqyer një pyetje e gazetares së Ekonomia Online për qëndrimin e Ambasadës Amerikane rreth demarkacionit Kosovë-Mali i Zi.
Kur ishte pyetur gjatë një vizite në Ministrinë e Infrastrukturës të komentojë qëndrimin e zyrtarëve të Ambasadës Amerikane se nuk do të përkrahin version tjetër të demarkacionit, ai i ka porositur gazetarët “të kryejnë shkollë e të mësojnë anglisht” sepse, sipas tij, nuk po dinë t’i lexojnë raportet.
Por, gazetarja e Klan Kosovës ia ka përsëritur sërish Haradinajt pyetjen se çka do të bëhet me marrëveshjen e demarkacionit.
“Në praktikën e mirësjelljes ose korrektësisë, kërkimi i faljes është diçka e mirë. Nuk ma ka sugjeru askush dhe janë befasuar, sidomos stafi im, pse kam kërkuar falje. Unë nuk përtoj t’i kërkoj falje, edhe fëmijës, plakut…”, ka vazhduar Haradinaj.
Ndërsa sa i përket demarkacionit, Haradinaj ka thënë se janë bërë gabime në të kaluarën.
“Unë nuk kam vullnet të dalë kundër botës dhe nuk e bëj për shkak se kam dëshirë me dalë kundër të tjerëve, mirëpo dikush ka gabuar në të kaluarën”, ka thënë Haradinaj.
“Unë nuk kam ardhur të lë nga dy vjet tema në sirtar… Prandaj, që ditën e parë e kam inicuar këtë temë, e kam shkarkuar komisionin e vjetër, do të formoj shpejt një komision me njerëz profesionistë, kredibilë. Ata do të ta na tregojnë ku janë gabimet”.
“Do t’i informojë partnerët politikë në koalicion, partnerët ndërkombëtarë, parlamentin. Nëse dikush ka zgjidhje mirë se vini, nëse jo Kuvendi e rrëzon këtë version”, ka shtuar Haradinaj.
Pasi marrëveshja të rrëzohet nga Parlamenti i Kosovës, Haradinaj tha se atëherë do të bisedohet me Malin e Zi a dëshiron ta rinegociojë marrëveshjen, të dërgohet në arbitrazh apo si të gjendet një zgjidhje.
“Kjo temë nuk do të mbetet pa epilog”, shtoi ai.
Pas këtyre veprimeve, Haradinaj beson se Qeveria e Kosovës ka të drejtë do të kërkojë nga Bashkimi Evropian liberalizimin e vizave për kosovarët. Me rëndësi, sipas tij, është që BE-ja nuk po merr më lajme të këqija nga Kosova.