Kryetar i Aleancës, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se Qeveria Kurti po nxitohet pa kuptim për aprovimin e buxhetit, duke mos e përfshirë Ligjin për Paga. Ai i ka parashtruar dy kërkesa kryeministri Albin Kurti, raporton Ekonomia Online.
“Sot Qeveria Kurti, në aleancë me Listën Serbe, e ndërroi rendin e ditës, e vendosi në seancë të jashtëzakonshme leximin për të dytën herë të buxhetit. Është shqetësuese që Qeveria Kurti, e ndihmuar nga Lista Serbe, po nxitohet që ta aprovojë buxhetin pa e marrë në konsideratë buxhetimin e Ligjit të Pagave”.
Haradinaj i ka kërkuar Kurtit që çdo ditë bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanollin, në Korporatën Energjetike të Kosovës, shkaku i situatës energjetike në vend.
Haradinajt gjithashtu ka kërkuar nga Kurti që kostoja e importit të rrymës të paguhet nga buxheti.
“I bëj apel Kurtit që të ndërmerr dy veprime menjëherë. Njëri është që ta fillojë çdo ditë pune në KEK, bashkë me Ministren, pra çdo ditë ta heq nga agjenda një takim protokollar dhe çdo ditë ta filloj ditën në KEK, gjatë gjithë dimrit dhe i dyti që ta paguajë koston e importit për këtë vit, nga buxheti i këtij viti e të mos e bartë në buxhetin e vitit tjetër, sepse duke u bartë kostoja krijon pengesa të mëdha ne buxhetim të projekteve të tjera”.
Haradinaj ka thënë se janë dëshmitar që Qeveri e ndërroi rendin e ditës për të dytën herë sa i përket buxhetit, duke dhënë edhe arsyet se pse nuk do ta votojnë atë.
“Qeveria e ndihmuar nga Lista Serbe po nxitohet me aprovuar buxhetin pa e marrë në konsideratë ligjin e pagave. Ne përkrahim qeverinë forcimin e shtetit ligjor në luftimin e korrupsionit. Kosova ka disa probleme që nuk po adresohen në mënyrë të duhur”.
“Nuk mundet mu përballë me pandeminë duke mos buxhetuar Ligjin e pagave. Dhe do t’i humbë të gjithë profesionistët e sektorit publik. Po t’i dalë përballë çështjes së marrëveshjes finale në këtë rast t’i drejtohet presidentit Biden. Janë arsyet tona pse votuam kundër rendit ditës dhe do të votojmë kundër buxhetit”.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, foli për mospjesëmarrjen e AAK-së gjatë fjalimit të presidentes Vjosa Osmani. Ai tha se Osmani duhet të përçojë mesazh uniteti për të gjithë, por nuk po e bën këtë, raporton EO.
Sipas tij, buxheti është duke vërtetuar varfërinë e Kosovës.
“Është buxhet që ka lenë jashtë ligjin për financimin e pushtetit lokal. Pakoja e rimëkëmbjes kishte qenë mashtrim. Ky është diskriminim që po i bëjnë komunave. Në Rahovec është përjashtuar sheshi i qytetit”.
“Në Suharekë mbi 1.1 milion janë larguar nga buxheti i marrëveshjeve të parapara. Vetëm në Klinë janë larguar mbi 5 projekte. Ky buxhet është që të varfëron vendin tonë dhe nuk ka zhvillim ekonomik”.