Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një statusi ka uruar qytetarët e Kosovës për marrjen e përkrahjes së Gjermanisë për liberalizim të vizave.
Sipas publikimit të radhës të FAZ, ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Horst Seehofer, e ka konsideruar të justifikueshme kërkesën e kosovarëve për të lëvizur të lirë.
Haradinaj ka uruar sërish kosovarët për këtë hap që sipas tij do të finalizohet sa më parë.
Ja postimi i tij i plotë:
Gjermania edhe njëherë konfirmon mbështetjen e Kosovës për liberalizimin e vizave.
Në publikimin e radhës të FAZ, theksohet mbështetja e Ministrit të Brendshëm të Gjermanisë, Seehofer për procesin e liberalizimit të vizave, duke e konsideruar të justifikueshme kërkesën e kosovarëve për të lëvizur të lirë dhe duke këmbëngulur që Kosova përmbushë kriteret e nevojshme për këtë proces.
Një mbështetje të madhe këtij procesi i ka dhënë edhe deputeti i Partisë së Gjelbër Manuel Sarrazin, derisa në korrik të 2018-ës, Komisioni i BE-së konfirmoi se Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat, e po të njëjtin vlerësim vendi e mori edhe nga Parlamenti Europian.
Tani Kosova ka krijuar ekipin e saj për të bashkëpunuar me Qeverinë gjermane, që ky proces të finalizohet sa më parë.
Kosovarët, tashmë e kanë marrë PO-në e madhe nga Gjermania, për ta jetësuar të drejtën e tyre për lëvizje të lirë.
Urime Kosovë!