Kryeministri Ramush Haradinaj, së bashku me ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri, dhe ministren e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, janë takuar me Komisionin për Legjislacion për të diskutuar në lidhje me projektligjet që janë në legjislacion dhe që lidhen me agjendën evropiane.
Kërkesa e Haradinajt ishte që ligjet për Kodin Penal, sinjalizuesit, përgjegjësia disiplinore për prokuror dhe gjyqtar, konfiskimi i pasurisë së paligjshme të përshpejtohen në mënyrë që të jemi në hap më kohën për të hyrë në agjendën e liberalizimit, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri Ramush Haradinaj kërkoi nga deputetët që të ketë dinamikë më të madhe për kalimin e projektligjeve në kryesi, pasi që Kosova duhet të jetë e gatshme të hyjë në agjendën për liberalizim të vizave.
“Falënderoj Kuvendin për një qasje të kujdesshme dhe komisionin për gatishmërinë me ndërhy në dinamikat përgatitore dhe seancë plenare, sepse jemi me kohë të ngushtë para rezultateve të nevojshme të ardhshme që Kosova me hy në agjendën për liberalizim të vizave. Kemi kalu me sukses etapat e deritanishme, por ne jemi me urgjencë dhe disa ligje janë në evidencë të palëve që të quhet si avancim”, tha Haradinaj.
Haradinaj u kërkoi anëtarëve të komisionit përshpejtim të punës që këto projektligje të shkojnë në seancë.
“Duke mos dashtë me kry punën e juaj, arsyeja pse jam këtu është më kërku prej juve ligjet me mujt me i përshpejtu punët me ardhë në seancë plenare me një afat sa ma të shpejtë të mundshme me dërgu në miratimin e leximit të dytë, sepse mundësitë janë reale me hy Kosova ne agjendën e liberalizimit të vizave”, tha Haradinaj.
“Unë mora vesh se komisionet tjera duhet të punojnë dhe deputetet janë jashtë vendit dhe duhet të organizohemi që me ardhë këto ligje sa më shpejt në seancë plenare, sepse janë të rëndësishme”, tha Haradinaj.
“Nuk kam interes me ndërhy dhe me marrë detyra të tjera, për mua është në rregull me u shty seanca dhe menjëherë e bëjmë dhe kërkoj anulimin, ajo që më konvenon është nëse ne mundemi me iu pasë juve partnerë dhe me e përcjell në komisione të tjera deri në seancë”, tha ai.
Albulena Haxhiu tha se opozita është akuzuar nga Haradinaj më parë se po pengon procesin e liberalizimit dhe i ka krahasuar me Listën Serbe, raporton EO.
“Dëshmia se opozita ka punu në këtë drejtim janë draftet që kemi finalizu dhe kanë qenë akuza të padrejta ndaj opozitës, qytetarëve dhe pastaj ndaj BE-së, përgjegjësinë më të madhe këtu e ka qeveria e me pastaj Ministria e Integrimeve dhe Drejtësisë”.
Deputeti Arben Gashi tha se ligjet nuk janë të gatshme për nesër dhe kërkoi më tëpër kohë në mënyrë që të trajtohen sa më mirë. Ai tha se pas takimit, komisioni do të mundohet t’i trajtojë sa më shpejt projektligjet”.
“Thirrja e një seance, a ka të bëjë me këto 4 ligje që janë në procedurë dhe nuk janë të gatshme për nesër, nëse po atëherë kemi një qasje të përmbysjes së sistemit dhe Kuvendi duhet të thërrasë me i trajtu këto çështje, nëse u thirr për këto, atëherë duhet me tërheqë këtë vendim se komisioni duhet ta trajtojë këto çështje”.
“Nëse seanca ka të bëjë me këto çështje, mendoj se nuk keni të drejtë me thirrë dhe nuk duhet me u bë debat publike, le të anulohet kjo seancë dhe ne i trajtojmë këto çështje dhe komisioneve të tjera t’u kërkojmë t’i trajtojnë me urgjencë këto ligje dhe brenda disa ditëve të trajtohen”.
“Nëse ne aprovojmë ligje pa aprovimin të komisioneve tjera e ngatërrojmë sistemin panevojshëm. Kodi penal dhe përgjegjësia disiplinore për prokurorë dhe gjyqtarë kanë shkuar në kryesi. Sinjalizuesit dhe konfiskimi i pasurisë duhet të trajtohet dhe e dërgojmë menjëherë në kryesi”.