Gjendja aktuale e sigurisë, përgatitja dhe shtimi i masave të përgjithshme të sigurisë për sezonin veror dhe pritjen e fluksit të mërgimtarëve, ishin disa nga temat e që u diskutuan në takimin punues që Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e zhvilloi me përfaqësuesit kryesor nga institucionet e sigurisë dhe rendit në vend.
Në këtë takim, kryeministri Haradinaj tha se roli i institucioneve të sigurisë, Policisë së Kosovës dhe mekanizmave të tjerë relevant në luftën kundër dukurive negative është shumë i rëndësishëm dhe pikërisht për këtë, duhet një mobilizim i të gjithëve që të mos ketë trend rritjeje të akteve delikuente dhe kriminale, transmeton Ekonomia Online.
“Jemi shumë të përkushtuar që ta rrisim luftën kundër dukurive negative, me theks të veçantë luftën kundër narkotikëve në shkolla dhe afër tyre, dhe për këtë është e nevojshme shtimi i masave nga organet e rendit dhe të sigurisë”, tha Haradinaj.
Haradinaj, sipas komunikatës për medie nga Qeveria, tha se edhe numri i vetëvrasjeve në Kosovë dhe i aksidenteve në trafik është tepër shqetësues, duke vlerësuar se duhet parë nga afër cilat janë shkaktarët e këtyre dukurive negative si dhe mundësinë e uljes së numrit të aksidenteve në trafik.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, vlerësoi se situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë, është stabile dhe shtoi se institucionet e rendit dhe të sigurisë që janë në kompetencë të MPB-së, janë duke punuar në përmirësimin e këtyre parametrave.
Edhe ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Naim Rexha, pasi falënderoi kryeministrin për angazhimin e tij për temat që kanë të bëjnë me rendin dhe sigurinë, tha se është rritur dukshëm përgjegjësia dhe angazhimi i Policisë Kosovës, në krijimin e një ambienti të sigurt për qytetarët.
Në këtë takim pune, të thirrur nga kryeministri Haradinaj u dakordua që të gjitha institucionet sigurisë të ngrisin nivelin e përgjegjësisë me qëllim të krijimit të një ambienti më të sigurt për qytetarët e Kosovës, e që do të reflektonte edhe në krijimin e sigurisë më të madhe për investitorët e huaj potencialë.
Haradinaj në fillim të takimit ka shprehur përgëzimet e tij për Policinë e Kosovës, e cila tha se çdo ditë punon për të siguruar rend dhe qetësi publike, derisa pjesëtarët e saj i quajti heronj.
“Arsyeja pse ju kam ftuar sot është të diskutojmë së bashku situatën lidhur me rendin publik, me rreziqet ose kërcënimet e rendit publik, disa prej krimeve, disa zhvillime që po kanë karakter të lajmeve fatale ose dramatike”, ka thënë Haradinaj.
“Të bisedojmë konkretisht për gjendjen në rend. Policët dhe policet e Kosovës janë heronj, janë çdo kohë në luftë për rend për të jetuar qetë dhe sigurtë në Kosovë, siguri në pronë, siguri të lëvizjes. Shprehi përgëzimet me të mira për Policinë e Kosovës”, ka shtuar ai.