Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj kërkesës së kryeministrit, Albin Kurti për bashkimin me opozitën për ta shpërndarë Kuvendin.
Ai vë në pikëpyetje se çfarë mund të ketë ndryshuar për të ndodhur ky ndryshim.
Po ashtu ish-kryeministri Haradinaj u shpreh se “Kosova po përballet me një situatë të ndjeshme, edhe politike edhe të sigurisë, përpos nëse edhe ky ndryshim kursi i Albin Kurtit, është veç edhe një mashtrim i radhës”.
“Aleanca ka kohë që ka kërkuar mocion mosbesimi ndaj qeverisë, mirëpo Kryeministri jo vetëm që e ka kundërshtuar por është kujdesur të na e kujtojë se kur është afati i zgjedhjeve të rregullta. Tash paska dalë me kërkesë që të bashkohet me opozitën për ta shpërndarë Kuvendin”, shkroi Haradinaj në Facebook.
“Çka ka ndryshuar në ndërkohë!? A është Presidentja e vendit në dijeni për këtë ndryshim kursi të Kryeministrit. Shpërndarja e Kuvendit duhet të jetë rezultat i një konsensuesi politik. Presidentja duhet të deklarohet për këtë çështje dhe eventualisht të thërrasë në takim partitë politike, për ta diskutuar këtë ndryshim kursi të Kryeministrit”.
“Kosova sot përballet me një situatë të ndjeshme, edhe politike edhe të sigurisë, dhe kjo temë kërkon qartësi. Përpos nëse edhe ky ndryshim kursi i Albin Kurtit, është veç edhe një mashtrim i radhës”.