Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk ka gjykatë që i gjen gabim kodet e shqiptarëve. Sipas tij, kot e kanë ata të cilën duan ta “fëlliqin” luftën e bërë, raporton Ekonomia Online.
“Luftëtarët shqiptarë kanë luftu me kode të nderit kot e kanë ata që donë me fëlliq luftën tonë. Nuk ka gjykatë që i gjen gabim kodet e shqiptarëve, janë kode që dinë me e ruajt jetën. Ne në Kosovë kemi arrit me ruajt të gjitha etnitë. A ka ditë më të mirë dhe çka është më e shenjtë se liria”, tha Haradinaj.
Haradinaj këto komente i bëri në 21-vjetorin e “Epopesë së Dukagjinit”. Ai shtoi se është nder i madh për vendin, të vazhdohet nderimi i dëshmorëve të vendit, sipas tij, do ta vazhdojë këtë praktikë të nderimit.
“Ishte nder për Gllogjanit që luftëtarët e kësaj treve janë nderu nga shtetit vet. Unë jam rritë si fëmijë me plot histori shqiptare nga të gjitha trevat por ka qenë çdo herë me rëndësishme të dëgjoj ato histori të luftëtarë të Dukagjinit. Historia e dukagjinit ka lënë nam në të gjitha kohërat e veta. Edhe para lekë dukagjinit por edhe pas lekë dukagjinit. Por ngjarja që ka bërë kthesë është bashkimi i shqiptarëve, bashkimi i lekë dukagjinit për tu përballe me pushtues. Edhe sot historia dhe nami jetojnë me ne”, tha Haradinaj.
Ish komandant i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, foli për bashkimin që e patën me shokët në luftë. Sipas tij, Ushtria Çlirimtare e Kosovës i bashkoi të gjithë.
“Ne nuk e ndalëm luftën asnjëherë. E vetmja herë që u bashkuam ashtu si na bashkoi leka qindra vjet përpara ishte UCK. Kudo që ishim u bë bashkë në luftën tonë për liri, qëndruam në rrethim të hekurt, në kushte të vështira, në dhimbje dhe i përballuam ato dhimbje”, u shpreh Haradinaj.
Sipas Haradinajt, NATO-ja iu gjend Kosovës në ditët më të vështira, duke treguar se populli thoshte “paska Zot”, me bombardimet e miqve ndaj sulmeve serbe.
“Në këtë ditë 99 na u dha e drejta jonë dhe populli jonë që ka meritë kaq të gjatë e ka një thënie “miku i mirë në ditë të vështirë”, NATO na u gjet në ditët më të vështira të jetës sonë ku i madh e i vogël u rrezikuan. Kjo ishte ngjarje që me të vërtetë ka bërë kthesë. Kjo ngjarje është e ardhur prej Zotit. I kam dëgju popullin me veshët e mi duke thënë “paska Zot”, u shpreh Haradinaj, raporton Ekonomia Online.
Sipas ish komandantit të UÇK-së në Dukagjin, Adem Jashari dhe gjithë luftëtarët shqiptarë janë krenarë sepse pushka e tyre vazhdon, ajo pushkë që nuk u ndal asnjëherë dhe që na solli lirinë.