Kryeministri Ramush Haradinaj ka kritikuar ministrin e Inovacionit, Besim Beqaj, që nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e sotme të qeverisë, por ka dërguar një zëvendësministër të tij.
Haradinaj i nervozuar ka thënë se Beqaj e ka ditur qe një javë që sot është mbledhja e Qeverisë dhe kjo sipas tij nuk ka logjikë, raporton Ekonomia Online.
Haradinaj ka thënë se ose do të vazhdojnë punën sic i ka hije Qeverisë, ose ta lënë e të mos punojnë fare.
“Ai e ka ditur qe një javë që ka mbledhje Qeveria. Ose po vazhdojmë punën si qeveri qysh na ka hije ose po e lojmë. S’ka logjikë, s’e di çka është më me rëndësi se mbledhja e Qeverisë, ai pe çon zëvendësin dhe nuk po vjen vetë”.
Haradinaj këto deklarata i ka bërë pas fjalës së zëvendësministrit të Inovacionit, lidhur me shqyrtimin e propozimit për të kërkuar nga presidenti i Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit për nënshkrimin e Marrëveshjes së bashkëfinancimit me Agjencionin Gjerman për Bashkëpunim Ndërkombëtar GIZ për projektin CETEP.