Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), njëherësh kryeministër i vendit, Ramush Haradinaj, ka vazhduar sot fushatën zgjedhore në rajonin e Dushkajës.
Në një tubim në Rakovinë të Gjakovës, Haradinaj ka thënë së në Kosovë tashmë ka filluar qeverisja që vepron.
“Dushkajës unë mund t’i them që ka filluar puna”. Por, Haradinaj e di se e pret një punë jo edhe e lehtë: Ta kthejë besimin në politikanët e Kosovës, “sepse populli mendon që politikanët mendojnë vetëm për vete”.
Ai beson se me punë do ta arrijë ta bëjë këtë, ndërsa ka përsëritur njërin nga premtimet e tij në zgjedhjet e përgjithshme të qershorit.
Ai ka premtuar se si kryeministër nuk do të negociojë për vijën kufitare me Malin e Zi.
“Kufiri është në Çakorr edhe aty ka me mbetë”, u shpreh Haradinaj, për të marrë duartrokitjet e të pranishmëve në sallë.
“Na e kemi një agjendë, MSA-në të cilën duhet me zbatu përnjëmend dhe do ta fitojmë statusin e kandidatit, e cila nënkupton liberalizimin e vizave”.
Ai ka shtuar se Kosova do të shkojë edhe më tutje, duke kërkuar statusin e vendin kandidat për anëtarësim në BE.
“Unë këtu nuk kam ardhur me lyp votën për Ardianin (Gjinin) se këtë e di… Kam ardhur këtu t’ju them që në komunë më shumë se 30 dite punët nuk do të vonohen”, ka thënë Haradinaj, më tutje.