Në nderim të 82-vjetorit të vdekjes së patriotit Ramë Bllaca, është mbajtur akademi përkujtimore dhe është zbuluar pllaka e heroit në vendin e rënies në hyrje të fshatit Bllacë, raporton EkonomiaOnline.
Në një fjalë rasti Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, heroin Ramë Bllaca e ka kujtuar si njeri që ka kontribuar në të mirë të vendit.
Haradinaj tutje ka thënë se amanetet e dëshmorëve do të përcillen brez pas brezi.
“Për mua çdo herë ka qenë kureshtje me kuptua më shumë për jetën e heroit Ramë Bllaca me kuptua rrethanat ku ka veprua, me i kujtua ato kohëra e me dit me çka u përballe, me provua me ndje atë qe ka përjetua Ramë Bllaca. Serbia e vjetër apo mbretëria e atëhershme nuk kish heq dorë me e shpërngul popullin autokton, por doli dikush, doli një shqiptar që i tha jo këtu i tha jo një qëllimi të padrejtë një qëllimi vrasës e jo human”.
Haradinaj tha se Serbia ne vazhdimësi ka synuar shpërnguljen e popullit shqiptar, por përpjekja e saj e fundit ishte ajo e vitit 1999.
“I jemi borxh heroit tonë Ramë Ballca që edhe në këto kohëra të errëta të vështira për qëndrimet që kanë marrë. U jemi mirënjohës përjetë për vendimet që kanë marrë. Do ta bartim brez pas brezi porosinë e dëshmorëve. Përpjekja e fundit e Serbisë me na largu nga trojet tona ishte finalja e madhe e një padrejtësie që ka ushtruar Serbia ndaj nesh. 99-ta e ka përmbyll të drejtën tonë të pjesshme me mbet në trojet e veta me qenë zot shtëpie. Kemi me qenë gjithmonë besnikë ndaj aleatëve tanë”, tha ai.
Ndërsa kryetari i Therandës Bali Muharremaj tha se ndjehet i nderuar që janë mbledhur të gjitha strukturat për të nderuar heroin Ramë Bllaca.
“Jam i gëzuar qe ky tubim po na bashkon të gjitha partitë politike dhe strukturat fetare. Ramë bllaca ndali shpërnguljen e shqiptuarve në 82 vjetorin e tij tregojmë brezave të ardhshëm dhe i vlerësojmë dhe përqendrohemi ne te ardhëm e vendit. Ishte i vetmi person në trojet shqiptare që tha jo dhe grisi dokumentin e udhëtimit dhe tha jo, kjo tokë nuk mundë të bartet në Anadoll”, ka përfunduar Muharremaj.
Patriotin Ramë Bllacaj edhe historiani Skënder Lutfiu e kujtoi si njeri që kontribuoi në të mirën e vendit
“Ramë Bllaca ishte politikan i spikatur patriot e vizionar për avancimin e te drejtave të shqiptarëve në mbretërinë e Jugosllavisë”, tha ai.
Ndërsa nipi i Ramë Bllacës, Afrim Bllaca tha se sakrifica e gjyshit të tij i është shpërblyer me lirinë e vendit.
“Po nga ky vend ku ra gjyshi ynë saktësisht 82 vite më parë ai refuzoi të pranonte traktat për dëbimin e shqiptarëve. 82 vite pas kur bëjmë krahasime sakrifica e tij ia paska vlejtur”, tha ai
Ramë Bllaca ishte kolos atdhetar dhe përfaqësues kombëtar i cili gjithë veprimtarin ia kushtoi mbrojtjes së vendit.