Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), njëherësh kryeministër i vendit, Ramush Haradinaj, në tubimin elektoral në Kaçanik, ka thënë se kandidati i tyre, Hajrush Kurtaj, është zgjidhja më e mirë për këtë qytet.
“Kosova del prej ku është, nëse punon, e ata që kanë pasur mundësinë me punu, nuk e kanë bërë një gjë të tillë”, tha Haradinaj, duke iu drejtuar përkrahësve të shumtë në Shtëpinë e Kulturës.
Ai theksoi se Kosova ka miliarda euro në Fondin Pensional, që mbahen jashtë Kosovës, ndërsa brenda ka shumë nevoja. “E dëgjova kur foli Hajrushi për infrastrukturë, për prodhim, ujë të pijes e asfalt. Këto nuk janë premtime, sepse ato janë primare”.
Kreu i Aleancës u shpreh se Kaçaniku është krenaria e Kosovës dhe këtu ka pasur gjithmonë një shpirt e vullnet për punë. “Në Kaçanik nevojitet veprim, sepse kjo na mungon”, tha Haradinaj, i cili kërkoi “veprim” më 22 tetor që të votohen kandidatët e Aleancës.
E kandidati për ta drejtuar Komunën e Kaçanikut në katër vitet e ardhshme, Hajrush Kurtaj, ka thënë se programi i tij do t’i sjellë Kaçanikut të ardhme me perspektivë.
“Ne kemi një program konkret për zgjidhje konkrete. Aleanca do të vendosë objektiva dhe të marrë përgjegjësi për t’i zbatuar ato. Zhvillimi ekonomik dhe krijimi i kushteve do të jenë pika kyç për programin tonë në Kaçanik”, tha Kurtaj.
Më tutje, Kurtaj premtoi aktivizimin e zonave industriale, subvencionim dhe lehtësira për punë, ndërtimin e infrastrukturës për disa zonave të cilat kanë nevojë, në veçanti të zonave turistike. “Pikë kyç do të jetë rritja e turizmit”.
“Ne do të kërkojmë cilësi në arsim, po ashtu edhe mbrojtjen e ambientit, meqenëse Kaçaniku ka dy lumenj. Do të ketë trajtim dhe rregullim të ujësjellësit, po ashtu kushte më të mira në shëndetësi e industri”, ka thënë Kurtaj, teksa shfaqi besimin se ekipi i tij i përmbushë të gjitha kushtet që Kaçanikut t’i sjellë zhvillim.