Haradinaj: Kurti po rrëshqet në diktaturë, vendosja e kryeprokurorit nuk bëhet sipas dëshirave të tij

Prishtinë | 20 Pri 2023 | 18:45 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, pasi që ky i fundit ka gjykuar vendimet e prokurorit në foltoren e Kuvendit të Kosovës, për rastin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

Haradinaj tha se nëse vazhdon me kësi lloj veprimesh, Kurti mund të rrëshqas në diktaturë.

“Ndarja e pushteteve është themeli i funksionimit të sistemit demokratik të një shteti. Kur pushteti e sulmon sistemin gjyqësor të vendit të vet, ai pushtet e ka një problem serioz.

Kryeministri gabon rëndë kur i jep të drejtë vetes për t’i gjykuar veprimet e një prokurori, edhe nëse ai ka dyshime për punën e tij. Ai rrëshqet në diktaturë kur thotë se një person nuk do të mund të bëhet kryeprokuror sepse kjo është kundër dëshirës së tij. Vendosja e një kryeprokurori nuk bëhet sipas dëshirave të kryeministrit. Të paktën jo në sistemin tonë të drejtësisë!

Kam frikë se diskursi i kryeministrit i shpërfaqur sot në foltoren e Kuvendit të Kosovës është jo vetëm i gabueshëm, por edhe me pasoja të rënda për shtetin e për drejtësinë, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

“Prandaj, sot kam kërkuar që kryeministri dhe njerëzit e pushtetit të tij të vendosen në anën e drejtësisë e jo kundër saj. Ai duhet distancohet nga sulmet e parreshtura që po i bëhen prokurorisë dhe ta lërë drejtësinë ta bëjë punën e vet! Në të kundërtën, ai do të shndërrohet në sinonim të një kryeministri autoritar dhe gjithë pasojat do t’i bartë ai vet”, përfundoi ai.

Të ngjashme