Haradinaj: Kurti s’u konsultua me SHBA-në për targat, mund të ketë pasoja

Prishtinë | 29 Tet 2022 | 20:57 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 103-të, mbajtur të premten pasdite, vendosi që të përshkallëzojë, sikur u tha, vendimin për targat ilegale, duke e shtyer afatin sipas disa fazave.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se për këtë vendim Kurti nuk është konsultuar me SHBA-në dhe vendet e tjera evropiane.

Ai më tej e quajti këtë vendim si shkurtpamës dhe që mund të ketë pasoja për vendin.

“Është e papranueshme kur ne u kërkojmë demokracive më të fuqishme të Botës të na ndihmojnë t’i japim fund mosmarrëveshjeve shekullore me Serbinë, dhe pikërisht kur ato janë në kulmin e angazhimit, kryeministri ynë vepron krye në veti e pa koordinim me partnerët strategjik”, u shpreh ai.

Haradinaj më tej ka thënë se është e palogjikshme që t’u kërkosh ndihmë vendeve evropiane, por të mos përfillësh këshillat e tyre.

“Kryeministri duhet t’i analizojë mirë hapat e tij dhe në këtë fazë jetike për vendin duhet të jetë në harmoni të plotë me Amerikën dhe BE-në. Andaj, i kërkoj ta rishikojë edhe vendimin për targat.

Dua të besoj se zhgënjimi i shprehur i partnerëve tanë me këtë vendim të kryeministrit, nuk do të ketë pasoja për marrëdhëniet e shkëlqyera që ka Kosova me ta!”, shkroi ai ndër të tjera.

Të ngjashme