Në prag të vizitës në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk e fsheh se është në njëfarë përballjeje me Bashkimin Evropian (BE).
Në një intervistë për Ekonomia Online, Haradinaj tregon se në vizitën që kishte në nëntor në “kryeqytetin” e BE-së, sikurse dhe në takimet që do të ketë nesër, po kërkon që Kosova të trajtohet si shtet dhe palë e barabartë në tema.
Shefi i Qeverisë thekson se në Bruksel, kur flitet për Kosovën shumëçka e ndërlidhin me dialogun me Serbinë. Kjo temë, sipas tij, është e rëndësishme, por thekson se derisa Serbia ka avancuar me hapjen e kapitujve për integrim në BE, Kosova ka mbetur vetëm me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.
“Ne kërkojmë që Kosovës me ia qit një afat kohor, që t’i jepet mundësia e hapjes së kapitujve për integrim në BE, ashtu siç ndodhë me Serbinë. Serbia është më e avancuar me kapituj, por edhe ne të fillojmë me të parin”, ka deklaruar kryeministri Haradinaj.
“Ne jemi vetëm në MSA. Kërkojmë statusin e kandidatit për vitin që vjen dhe fillimin e hapjes së kapitujve. Kjo kërkesë vetvetiu e përshpejton edhe liberalizimin sepse vjen përpara”.
“Besoj që nuk jemi në situatë të volitshme, aktualisht. Pra ka shumë punë që vërtet agjenda e Kosovës me u konfirmu”, e pranon Haradinaj.
Në këtë intervistë për EO, shefi i Qeverisë flet dhe për premtimin e tij të madh se brenda tre muajve të parë do ta zgjidhte çështjen e demarkacionit dhe se kosovarët do të mund të lëvizin pa viza. Ai thotë se e ka “ringjallur” temën e demarkacionit deh se tani është në duart e deputetëve ta votojnë apo jo marrëveshjen.
“Demarkacioni është një kriter që është shtu… Dy vjet e gjysmë demarkacioni ka fjetur, s’është marrë askush me të, tani është në fazën finale dhe së shpejti do ta ketë një epilog”.
Por, ai nuk dëshiron të japë ndonjë datë se kur pritet të hiqen vizat për kosovarët. “Unë jam në një tip përballjeje me BE-në. Kosova ka qenë në minus në të kaluarën…Mendoj se me folë për një datë, mund edhe të irritoj të tjerët, por po punojmë që kjo datë të mos jetë e gjatë…Një lajm i mirë për liberalizimin është se s’ka pasur emigrantë që kanë shku prej Kosovës, dhe konsolidimi i brendshëm, demokracia, po funksionon; edhe në parlament, edhe pse s’ka dinamikë, megjithatë është dinamikë funksionale. Pra, mendoj që nuk jemi larg”, shprehet ai.
Duke folur për 100 ditët e para të qeverisjes, Haradinaj thotë se për kritikë është vetëm numri i madh i zëvendësministrave. Për opozitën shprehet se nuk po mund ta përcjellë dinamikën e Qeverisë.
Haradinaj nuk i përkrah idetë që formimi i Asociacionit të kushtëzohet me votën e serbëve për ushtrinë e Kosovës. Ai ka thënë se kur kanë bërë marrëveshje për bashkëqeverisje me Listën Serbe, nuk kanë diskutuar për formimin e Ushtrisë së Kosovës dhe as Asociacionin e Komunave Serbe.
INTERVISTA E PLOTË:
EO: Po bëhen 100 ditë të Qeverisë Haradinaj. Dhe zakonisht pas 100 ditëve bëhet një vlerësim, fillojnë kritikat nga opozita, mediet, shoqëria civile… Po ju vetë si do t’i vlerësonit këta tre muaj? A jeni i kënaqur me punët e kryera, a keni hasur në sfida, probleme, që nuk i keni pritur?
Haradinaj: Po e kemi përgatitur një raport për 100-ditëshin. Javën që vjen, diku nga mesi i javës, do t’ia dorëzoj presidentit, kryetarit të parlamentit, deputetëve, qytetarëve, pra dhe medieve, me respekt. Kjo nuk ka qenë kohë e lehtë, ose periudhë e lehtë; madje shumë e vështirë besoj, sepse ende jemi në sfida të mëdha si vend dhe që qeverisja duhet të ketë aftësi zbatuese. Implementimi është jo aq në nivel në Kosovë, megjithatë mendoj që me këto ditë pune kemi mbërri me vendos këtë qeverisje në funksionet e veta, me ndodh qeverisja. Tema ka shume dhe shumica janë të rënda.
EO: Ju keni qenë kryeministër për rreth 100 ditë edhe në vitin 2005, kur dhatë dorëheqje për t’iu përgjigjur dhe sqaruar akuzat nga Tribunali i Hagës. E keni përsëritur shpesh se do të ktheheni për ta vazhduar punën aty ku e latë. Ai 100-ditësh ishte vlerësuar si shumë i suksesshëm edhe nga “kundërshtarët” tuaj. Për dallim nga atëherë, opozita tani është shumë e ashpër; vërehet një jokonstruktivitet në parlament, psh opozita nuk voton, madje as kundër, për një projektligj të rëndësishëm si ai për buxhetin. Pse ka ardhur në këtë pikë politika kosovare, pse ky antagonizëm kaq i theksuar?
Haradinaj: Jemi tash gati në 10 vjet pas pavarësisë dhe nuk ka askush më durim me pritë për suksese dhe unë e ndiej atë presion, sepse kërkohet suksesi menjëherë. Me të thanë të drejtën, këto 100 ditë janë të suksesshme dhe janë punë. Pra, hiq numrin e madh të zëvendësministrave që është për kritikë, por i cili nuk kthehet në dëm për publikun nëse këta janë me angazhime, kryejnë shumë detyra sepse ka shumë punë në vend; atëherë mund të them se kjo është periudhë e punës, po e quaj kështu sepse ka ndodhur shumë punë në vend. Opozita e ka vështirë me u ballafaqu me një qeveri si kjo, pra e kanë më problem me kuptuar se çka është t’u ndodhë, sepse në të kaluarën ma merr mendja që dinamikat nuk kanë qenë këto, vendimmarrja nuk ka qenë si kjo e sotmja dhe vetvetiu për ta është shumë vështirë me përcjell punën e qeverisë.
EO: Një nga premtimet e tuaja të mëdha si kandidat i PAN-it për kryeministër ka qenë se brenda tre muajve të parë do ta zgjidhni çështjen e demarkacionit dhe se kosovarët do të mund të lëvizin pa viza. Qeveria tashmë e ka dërguar në Kuvend marrëveshjen (e vjetër)të demarkacionit, por vetë AAK-ja thotë se nuk do ta votojë. Pse atëherë e dërguat në Parlament? Për t’i hapur rrugë negocimit të një marrëveshjeje të re? A mund t’iu premtoni kosovarëve, të jepni një kohë të përafërt se kur do të mund të lëvizin lirshëm?
Haradinaj: Kosova i ka pasur disa humbje, t’i quaj ashtu, edhe në planin e brendshëm edhe në periudhën para se me marrë Qeverinë unë; por edhe në planin regjional, dhe në planin global e kombëtar. Pra disa humbje janë shkaktu nga e kaluara. Sanimi i këtyre humbjeve, kthimi i gjendjes së qëndrueshme dhe rikthimi i Kosovës në planin e brendshëm regjional dhe ndërkombëtar ishte një betejë jo e lehtë. Kryesisht varet nga mënyra e qeverisjes, nga substanca nga ajo çka punojmë ne. Kushti kryesor është lufta kundër korrupsioni, pra shteti ligjor e Kosova duhet me qenë e aftë. E ajo që kam bërë unë gjithë këto ditë është që i kam fuqizuar mekanizmat e rendit dhe të ligjit, duke e përkrahur këtë edhe me buxhet, me më shumë personel dhe më shumë mundësi vepruese, në mënyrë që Kosova të kthehet në shtet ligjor dhe të jetë shtet ligjor.
Demarkacioni është një kriter që është shtu, nuk është një kriter standard, i cili po ashtu kërkon prej neve që të lëvizim. Këtë e kam bërë unë, e kam lëvizur demarkacionin, pasi ka qenë një temë e fjetur në të kaluarën. Dy vjet e gjysmë demarkacioni ka fjetur, s’është marrë askush me të, tani është në fazën finale dhe së shpejti do ta ketë një epilog.
Qeveria e ka dorëzuar në parlament marrëveshjen e vjetër, por e ka dorëzuar edhe raportin e komisionit të ri shtetëror. Tani deputetët e kanë në dorë të vendosin, mirë është me vendos sa më shpejt. Pra mos me lanë në pakufi në pritje këtë temë.
EO: A mund të themi se kjo marrëveshje është dërguar në kuvend për t’i hapur rrugë negocimit të një marrëveshjeje të re?
Haradinaj: Tash unë po dëgjoj opinione të ndryshme edhe nga njerëzit e respektuar. Shikoni, të gjithë po kërkojmë një zgjidhje; nuk është askush që s’po e kërkon një zgjidhje, mirëpo nuk mundem me dalë prej substancës. E substanca thotë se kanë ndodhur gabime të kaluarën. Raporti i ri thotë se ka ndodhur gabime në të kaluarën, pra deputetët duhet të thonë fjalën e tyre edhe kjo është ajo që unë e kam bërë.
EO: A mund t’iu premtoni kosovarëve, të jepni një kohë të përafërt se kur do të mund të lëvizin lirshëm?
Haradinaj: Unë jam në një tip përballjeje me BE-në. Kosova ka qenë në minus në të kaluarën në këto marrëdhënie. Por, mendoj se jemi kthyer në tavolinë seriozisht me BE-në. Mendoj se me folë për një datë, mund edhe të irritoj të tjerët, por po punojmë që kjo datë të mos jetë e gjatë, po them se nuk besoj se nuk është çështje e gjatë, por nuk është proces i lehtë. E kemi pesëshen (evropiane) që nuk na njohin. Siç e dini, ka vështirësi në këtë drejtim; vetë BE-ja është bukur heterogjene. Mirëpo jemi duke punuar. Një lajm i mirë për liberalizimin është se s’ka pasur emigrantë që kanë shku prej Kosovës. Dhe konsolidimi i brendshëm, demokracia, po funksionon, edhe në parlament, edhe pse s’ka dinamikë; megjithatë është dinamikë funksionale. Pra mendoj që nuk jemi larg.
EO: Marrëveshja për termocentralin “Kosova e Re” do të nënshkruhet të mërkurën. A do të bëhet publike krejt marrëveshja dhe kostoja financiare? Si do t’iu përgjigjeshit kritikave (psh. KOSID) se Kosova po hyn në obligime kontraktuale për kthim të investimeve ndaj një operatori privat? A garantoni se nuk do të ketë shtrenjtim të rrymës?
Haradinaj: E kemi për nderë me ba publike marrëveshjen. Dy-tri elemente të ju them; kjo është pare e jashtme, nuk investon Kosova asnjë cent; të keni parasysh është krejtësisht investim i huaj, i pari që ndodhë në Kosovë i tillë. Është rreth 1 miliard e 300 milionë, investim i huaj dhe njëkohësisht është teknologjia më e re, më e mbrama. Koeficienti maksimal në pastërti është 42, kurse ne e kemi 40, pra nuk ka më lartë. Jemi në teknologjinë në të avancuar. Kjo e ndryshon krejtësisht situatën me Kosovën dhe me investitorët. Në momentin kur kompania është e listuar në premium bursë të Londrës e nxjerrë këtë kontratë, atëherë krejt pamja e Kosovës tek investitorët me kredibilë, po them më seriozë në botë, ndryshon. Dhe kjo është një shenjë e mirë për Kosovën. Kuota e kthimit në ekuitet për një pjesë të investimit nuk është 20. Zotëri (Visar) Ymeri nuk e kishte informatën e mbramë atë ditë në Kuvend; është 18.5 për qind.
Rritja e energjisë elektrike është e pashmangshme; është e çmimeve të tregut, jo vetëm në Kosovë, por edhe në botë. Por nuk ndikon kjo kontratë në rritjen e çmimit. Kur prodhojmë me kapacitete të vjetruara si sot dhe kur s’kemi mundësi me i përmbushë kërkesat tona, ne blejmë rryme mbi 100 euro megavatin, ndërsa me kontratën e re është rreth 70 euro çmimi i megavati. Pra nuk është ashtu si po thuhet.
Organi rregullativ i tregut të energjisë e ka paraparë një rritje fare pa ndodhur investimi. Nuk e kanë ditur që do të jetë kontrata e arritur. Në fakt, unë e kam kryer një punë, e cila me vjet të tëra, qe 15 vjet rri nëpër tavolina të Kosovës. E kemi kry një punë që nga 24 për qind që ka qenë kthimi në ekuitet, kurse tani është 18.5 për qind. Dhe ia kam dhënë Kosovës një situatë krejt të re, krejt tjetër. E me këtë nuk mburrem vetëm unë, por kanë punuar breza e breza për këtë punë. Dhe faleminderit që e kemi qymyrin, sepse pa qymyr s’kishte ndodhur.
Por, është shumë me rëndësi që e kemi marrë një investim të tillë, sepse më nuk po investohet më në qymyr, në energji prej qymyrit.
EO: Kur do të krijohet Asociacioni i Komunave Serbe?
Haradinaj: Kosova ka prioritete të nxjerra, domethënë ne jemi të fokusuar në rend dhe ligj. Kemi nevojë shumë me i dhënë përparësi shtetit ligjor; kemi tema të ndjeshme, si shëndetësinë edhe arsimin. Pra nuk kemi arritë mjafteshëm, me iu përkushtu mjaftueshëm edhe shëndetësisë, sepse na mori shumë kohë energjia edhe tema të tjera. Po punojmë për prodhuesit shumë, me iu dhanë hapësirë, me i liru prej ngarkesave, prej taksave…
Si obligim i marrëveshje buron formimi i Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë. Kosova ka qenë gjithmonë e gatshme me formu një asociacion të tillë se e ka në bazë kushtetuese. Por, ju e dini vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila e ka hedhur poshtë një asociacion në përputhje me marrëveshjet dhe tani ka mbetur në bazë të asaj se çka parasheh Kushtetuta e vendit.
EO: Ka pasur disa ide që formimi i Asociacionit të kushtëzohet me votën e serbëve për ushtrinë e Kosovës. Cili është qëndrimi i Listës Serbe për transformimin e FSK-së? A keni biseduar për këtë çështje kaq të rëndësishme kur keni lidhur koalicion?
Haradinaj: Në temat e koalicionit nuk figuron Bashkësia e Komunave e nuk figuron as Ushtria, nuk është pjesë e diskutimeve tona. Nuk i kemi ndërlidhur këto tema; është vetëm marrja e përgjegjësive në qeverisje. Ajo që po e bëj me kujdes është që me i siguru serbët e Kosovës, e sidomos ata të pjesës së veriut se janë në Kosovë dhe se Kosova është vendi i tyre dhe se ata nuk kanë pse me pritë që me u kujdes për ta Beogradi, por mund të kujdesen për vetveten në Kosovë dhe për Kosovën; sepse është vendi i tyre. Nuk e di cili do të jetë pozicioni i tyre me votën për ushtrinë. Nuk e kemi një përgjigje definitive, por me të vërtetë ne po punojmë intensivisht që Kosova të jetë atdheu i të gjithëve, pra që edhe ushtria të jetë e të gjithëve, jo vetëm e shqiptarëve.
Ju e dini ka rreth 200 pjesëtarë që janë prej komuniteteve, prej tyre ka dhe serbë. Ju e dini që nuk ka incidente ndër-etnike, apo çfarëdo lajmi të keq prej FSK-së në një dekadë; dhe janë vlerësimet më të larta prej mekanizmave ndërkombëtarë, si të misionit të NATO-së, si të KFOR-it për FSK-në. Presim që FSK-ja të marrë mandatin kushtetues nga Parlamenti dhe presim që të jemi anëtarë të NATO-së. Pra e shohim formimin e ushtrisë jo vetëm si ushtri për Kosovën, por edhe si kriter për anëtarësim në NATO.
EO: Ka pasur paralajmërime, përfshirë nga presidenti Thaçi, se ushtria mund të bëhet edhe me një ligj, nëse jo me ndërrime kushtetuese? Pse ngeci, nuk u përkrah nga ndërkombëtarët?
Haradinaj: Unë mendoj ndërkombëtarët janë shumë të interesuar për ushtrinë e Kosovës. Ata po kërkojnë të krijohet në harmoni sa më të madhe të mundur të brendshme dhe më tutje; sepse siç e thashë edhe më herët nuk po flasim vetëm për të krijuar një ushtri, por dhe fituar edhe një kriter për përshpejtim të procesit në NATO.
EO: Këtyre ditëve do të shkoni prapë në Bruksel. A mund të na zbuloni më shumë rreth agjendës, takimeve? Si janë marrëdhëniet e Kosovës me Brukselin? A po trajtohet si shtet Kosova nga BE-ja?
Haradinaj: Unë kam pasur shumë të vështirë në ballafaqim me institucionet e BE-së, për shkak se kam kërkuar që Kosova të ketë një pozicion çfarë i takon; pra të jemi palë në tema, palë me BE-në drejt integrimeve. Ne jemi vetëm në MSA. Kërkojmë statusin e kandidatit për vitin që vjen dhe fillimin e hapjes së kapitujve. Kjo kërkesë vetvetiu e përshpejton edhe liberalizimin se vjen përpara. Besoj që nuk jemi në situatë të volitshme, aktualisht. Pra ka shumë punë që vërtet agjenda e Kosovës me u konfirmu.
Shumëçka e ndërlidhin me dialogun, që është i rëndësishëm. Por, ne kërkojmë që Kosovës me ia qit një afat kohor që t’i jepet mundësia e hapjes së kapitujve për integrim në BE, ashtu siç ndodhë me Serbinë. Serbia është më e avancuar me kapituj, por edhe ne të fillojmë me të parin.
EO: Keni ndarë një fond prej 290 mijë euro për familjet e personave të përfshirë në rastin Kumanova. Gjatë vizitës së homologut tuaj, Zoran Zaev, a keni diskutuar për këtë temë?
Haradinaj: Unë e kam mirëpritur vizitën e kryeministrit të Republikës së Maqedonisë, të z. Zaev në Kosovë. Ishte edhe vizita e parë e një kryeministri që nuk kishte ndodhur më parë fare. Kjo është në historinë e të dy vendeve, jam shumë i kënaqur me këtë vizitë me qëndrimet dhe bisedat që i kemi ba.
EO: Keni dhënë një afat 10-ditor për banorët e Hades dhe Shipitullës. A ka bërë punë “ultimatumi” juaj?
Haradinaj: Ky është afati kohor i fundit. Pra, ne kemi kaluar në disa etapa të tjera paraprake; kemi ndërmarrë krejt ato veprime që zhvendosja e banorëve të jetë vërtet në parametra të respektueshëm, dinjitozë, edhe të kemi dhe ndjenjë sepse janë njerëzit e vendit tonë. Por, kuptohet që nuk mundet të mbajnë peng Kosovën në vazhdimësi disa individë ose elementë të caktuar. Afati është final, pas këtij afati është vetëm baza ligjore që e përgjysmon pagesën për banorët dhe është zbatimi i ligjit. Si çdo rast tjetër ligji do të zbatohet në këtë rast.
Intervistoi: Kaltrina Zymberi
Kamera: Hydë Kelmendi/ Egzon Marku