Haradinaj lavdëron Policinë, s’e komenton shtyrjen e votimit në Interpol

Prishtinë | 25 Sht 2017 | 11:49 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Ramush Haradinaj ka vizituar Policinë e Kosovës, konkretisht Drejtorinë e Përgjithshme.

Haradinaj bashkë me Ministrin e Punëve të Brendshme (MPB), Flamur Sefaj, janë takuar me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhunin.

Kryeministri i Kosovës në kuadër të vizitës ka qëndruar edhe në dhomën operative të PK-së.

Haradinaj ka lavdëruar punën e Policisë së Kosovës. Ai ka thënë se rendi dhe ligji janë garantues për ecjen përpara të Kosovës. “Rendi dhe ligji është nevojë, është interes i të gjithë qytetarëve të vendit, kudo që jetojnë në Kosovë, cilësdo përkatësie. Është po ashtu, edhe parametër që tregon aftësitë e Kosovës për anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtar, pra drejt BE-së dhe organizatat tjera të sigurisë”.

“Njëkohësisht është edhe një  tregues se jeta në vendin tonë në çfarë norme të sigurisë zhvillohet. Këtu jemi në institucionin që e bart përgjegjësinë kryesore, barrën kryesore që çdo herë është në vijën e parë, që është në front për të zbatuar ligjin, për të zbatuar rendin- Policia e Kosovës. I falënderoj për punën e madhe që e bëjnë të gjithë kudo qe janë në detyra, për sigurinë që e bëjnë për ne, për qytetarët, për pronën”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Në takim është biseduar edhe për vjedhjet në prona, por fokusi kryesor në siguri mbetet parandalimi i shpërndarjes së narkotikëve tek fëmijët.

“Diskutuam edhe për disa detyra më direkte, më urgjente që i kemi. Unë e kisha veçuar një ndër to, që është droga apo narkotikët tek fëmijët, aksesi ose mundësia që trafikantë të ndryshëm të plasojnë narkotikë tek fëmijët e moshës minore. Kjo është e patolerueshme”.

“Besoj që është një pajtim i të gjithë neve që s’do të mundet kush që në Kosovë t’iu ofroj fëmijëve drogë, s’do të mundet kush të shtijë dorë në shkollat tona, s’do të mundet kush të rrezikojë fëmijët tanë. Për këtë besoj që kemi dakordim të gjithë ne”, ka thënë kryeministri.

Ai ka thënë se ka shkuar në vizitë që të shohë aftësitë që ka Kosova për t’u anëtarësuar nëpër organizata e sigurisë, por kur u pyete për kërkesën për shtyrje të votimit për anëtarësim në Interpol, Haradinaj nuk deshi që të komentojë.

Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, të shtunën, ka thënë se ndihet si shqetësuar që kryeministri Ramush Haradinaj ka marrë vendim që të shtyjë votimin për anëtarësim në Interpol.

Sipas tij, ky veprim i kreut të ekzekutivit ishte hipotetik dhe tej mase i pakalkuluar. Hyseni është shprehu i bindur se Kosova i ka votat për anëtarësim në këtë organizatë, raporton Ekonomia Online.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka marrë vendim që të shtyjë votimin e Kosovës në Interpol për takimin e ardhshëm të kësaj organizate.

Haradinaj u ka bërë thirrje diplomatëve që në takimin e radhës të punojmë më shumë në mënyrë që Kosova të votohet anëtare e Interpol-it.

Kosova kishte aplikuar për anëtarësim në Interpol edhe në prill të vitit 2015, por vitin e kaluar kjo organizatë kishte suspenduar aplikacionin e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare.

Ndërsa më 26 deri 29 shtator do t’i zhvilloj punimet Asambleja e përgjithshme e Interpol-it në Pekin të Kinës.

Votimi për Kosovën ishte paraparë të ndodhte më 26 shtator. Dy të tretat e votave i nevojiten Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë të sigurisë, raporton EO.

 

Të ngjashme