Në kuadër të vizitave nëpër bizneset e komunës së Pejës, kryeministri Ramush Haradinaj vizitoi edhe korporatën “Devolli”, në kuadër të së cilës funksionon fabrika e prodhimit të mobileve, kafes dhe produkteve tjera.
Ai është pritur nga pronari i kompanisë, Shkëlqim Devolli , dhe drejtori i përgjithshëm, Ismet Bojku, nga të cilët është njoftuar për vazhdimësinë e punës dhe planet zhvillimore të korporatës e cila ka të punësuar mbi 2000 persona në Kosovë.
Kryeministri Haradinaj tha se ky është një projekt i madh serioz me të cilin mund të mburret Kosova, për shkak se mbi 90 për qind e veprimtarive të kësaj korporate janë prodhime të cilat kanë besimin e qytetarëve të vendit, prodhime që e kanë fituar besimin edhe të tregut të jashtëm.
“Jam i bindur se ajo që kemi dëshirë ne të shohim sa më shumë “Made in Kosova” të gjendet në të gjithë tregun e botës, në Amerikë dhe më tutje”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se Qeveria do të jetë afër tyre, në rritjen e numrit të punësuarve, zhvillimit, në mënyrë që të rinjtë tanë të qëndrojnë në Kosovë dhe të kenë një vend pune të dinjitetshëm.
Haradinaj tha se kompania Devolli është një projekt i madh dhe serioz për Kosovën pasi që ndihmon në zhvillim ekonomik si dhe në punësim.
Pronari i “Devolli Corporation”, Shkëlqim Devolli, shprehu mirënjohje dhe falënderoi kryeministrin Haradinaj për mbështetjen, që sipas tij, po iu jep sipërmarrësve vendës.
Devolli prezantoi para kryeministrit dhe këshilltarëve të tij për ekonomi projektet e realizuara nga kompania e tij gjatë vitit 2018 si dhe projeksionet për vitin 2019.
Ata u pajtuan se duhet të ketë koordinim më të mirë ndërmjet institucioneve qeveritare dhe bizneseve vendore në mënyrë që ekonomia vendore të ketë rritje më të madhe.
Edhe drejtori gjeneral i “Devolli Corporation”, Ismet Bojku, tha se morën premtim për përkrahje nga kreu i Qeverisë.
“Sot e pritëm kryeministrin me ekipin qeveritar. Është një nder i madh për neve. Kishim rast me bisedu për të gjitha problemet, vazhdimësinë e punës dhe planet tona zhvillimore për çka na u dha një përkrahje edhe më e madhe nga kryeministri Haradinaj; një garanci që do t’iu jepet dhe investitorëve të jashtëm”, ka thënë Bojku.