Nëse Ramush Haradinaj bëhet kryeministër ka shumë gjasë që vendimin e parë që do ta marrë të jetë që puna në administratë publike të filloi nga ora 7 e mëngjesit.
Kështu e ri-konfirmon nënkryetari i AAK-së Ahmet Isufi, për Gazetën Fjala, atë që e kishte thënë në vitin 2012.
Sipas tij, në 100 ditshin e Qeverisë së Haradinajt në atë kohë ka pasur angazhim të jashtëzakonshëm edhe jashtë orarit të punës duke pasur parasysh intensitetin e zhvillimeve që kanë ndodhë.
“Prandaj unë kam të njëjtin mendim se Haradinaj do të jetë i përpiktë dhe po ashtu do të ketë disiplinë në punën e tij në mënyrë që të gjithë të ndihemi mirë se punojmë për shtetin tonë”, ka thënë Isufi.
Ai thotë se Haradinaj i jep rëndësi të madhe punës në jetën e tij dhe për këtë kujton kohën kur kanë punuar bashkë.
“Haradinaj gjithmonë zgjohet herët dhe kur ka qenë në Trupat Mbrojtëse të Kosovës kur kem bashkëpunuar me të por edhe në Qeveri. Është njeri që më shumë i jep rëndësi punës dhe normalisht tërë kohën e ka punë”, thotë Isufi.