Kryeministri i dorëhequr i Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se miratimi në mënyrë unanime i rezolutës për vëllezërit Bytyçi, nga Kongresi Amerikan, është një lajm i mirë, jo vetëm për familjen e tyre por edhe për dëshmimin e krimeve të pushtetit serb, të kryera në Kosovë.
Dhoma e Përfaqësuesve, miratoi të martën një rezolutë, me të cilën i kërkohet Serbisë që të vërë para drejtësisë vrasësit e tre vëllezërve Bytyçi, shtetas amerikanë, në vitin 1999, ndërsa bën thirrje që përparimi në ndriçimin e këtij rasti të jetë “faktor i rëndësishëm që përcakton zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë”.
Haradinaj shkruan në facebook se “Fshehja dhe mohimi i vrasjes së Yllit, Agronit e Mehmetit, është krim i dyfishtë që i bëhet familjes Bytyçi, popullit të Kosovës, por edhe gjithë historisë së shqiptarëve, luftës për çlirim dhe sakrificës për liri”.
“Kjo rezolutë, e miratuar nga ShBA, si mbrojtëse e vlerave njerëzore dhe demokracisë, është mesazh i qartë për shtetin serb, se pranimi i fajësisë dhe vendosja para drejtësisë e akterëve të masakrave dhe vrasjes së shqiptarëve, është rruga e vetme drejt paqes dhe stabilitetit në rajon. I bëjmë thirrje autoriteteve serbe, që ta pranojë këtë realitet dhe mos të fshehin faktet dhe kriminelët, por të distancohen nga ta dhe t’i hapin rrugë drejtësisë”, ka shkruar Haradinaj.