“Sa mirë të bashkohemi në Mitrovicë për një vepër të tillë, për një vepër ekonomike, një vepër në energji, kur jemi të vetëdijshëm të gjithë sa e rëndësishme dhe sa vitale është energjia jo vetëm për jetën, për ekonominë, por edhe për sigurinë”, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në fjalën e tij para të pranishmëve me rastin e përurimit të projektit prej 5.4 milionë euro “Ndërtimi i nënstacionit 110/10 (20) kV Ilirida dhe linjës nëntokësore transmetuese 110 kV”, në Mitrovicë.
Kryeministri Haradinaj tha se kjo vepër i dedikohet energjisë, i dedikohet shërbimit me energji për konsumatorë, një vepër që ka munguar, por që e rregullon dhe stabilizon gjendjen e furnizimit me energji për 50 vjetët e ardhshme.
Duke falënderuar drejtorin e BERZh-it për Kosovë, kryeministri Haradinaj theksoi se ky është një partneritet, kredi e butë, partneritet mes KOSTT dhe BERZh për këto investime në Mitrovicë, në Drenas dhe investime tjera në nivel vendi.
“Energjia është me rëndësi për jetën në radhë të parë, për konsumatorët qofshin ata në jug apo në veri, apo në cilëndo anë të këtij nënstacioni. Është me rëndësi për ekonominë në tërësi, por edhe për sigurinë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se energjia është një prej fushave të veprimtarisë ekonomike që i kushtohet rëndësi në nivel global, sepse ka ndikim direkt edhe në siguri, dhe kësisoj vendet që avancojnë në infrastrukturë dhe në energji janë vende stabile.
Më tej kryeministri Haradinaj tha se çdo vend që është stabil është kontribut që ndihmon në stabilitetin e të tjerëve, ndërsa një vend që nuk është stabil në energji për vetveten mund të kthehet në problem për gjithë të tjerët dhe mund të shkaktojë vështirësi dhe çrregullime.
“Kosova i ka të gjithë parametrat me qenë vend stabil në energji, me pas prodhim të qëndrueshëm të energjisë dhe për këtë arsye projekti i Kosovës së Re, investimi në Termocentralin e ri është jetik për Kosovën, sepse ne jemi të bazuar për energji të qëndrueshme në thëngjill”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar Kosova i ka hapur perspektivë energjisë së ripërtritshme dhe së shpejti në këtë rajon do të ketë një projekt shumë të rëndësishëm të investimit në energji të ripërtritshme dhe nuk do të ndalemi.
“Nuk mund ta lëmë Kosovën pa burim të qëndrueshëm të prodhimit të energjisë, në këtë rast pa “Kosovën e Re” dhe do të punojmë së bashku që ta realizojmë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se të gjithë jemi njerëz të kësaj toke dhe në Kosovë të gjithë janë në shtëpinë e tyre, shqiptarët shumicë, serbë, komunitete tjera. Por, siç tha kryeministri, ekzistojnë rregulla për të gjithë pa dallim në gjithë botën, jo vetëm për shqiptarët, jo vetëm për serbët, amerikanët, gjermanët, produktet që i merr i paguan, pra është në interesin e të gjithëve që të paguhen produktet që i merr konsumatori, është në interesin e të gjithëve që të vendoset rregull në treg, në ketë rast të paguhen faturat e energjisë elektrike në veri, të paguhet uji, mbeturinat.
“Janë detyra elementare të qytetarëve dhe shoqërive normale. Askush nuk do të fitoj nga një çrregullim në treg dhe ne e kërkojmë të drejtën tonë si Kosovë, të vendosim rregull në tregun e energjisë, të japim kontributin tonë në tregun rajonal, por edhe të jemi anëtarë i barabartë jo vetëm i transmetuesve të lartë, por të jemi të barabartë me gjithë partnerët në energji. Kjo është legjitime dhe shpresojë në përkrahjen e gjithë partnerëve”, tha kryeministri Haradinaj, duke falënderuar SHBA-në dhe Gjermaninë për një kujdes të vazhdueshëm për temat që kanë të bëjnë me tregun e energjisë, rregullimin e tij dhe përkrahjen që japin institucioneve tona, në këtë rast KOSTT,ZRRE, KEK por edhe KEDS dhe gjithë akterëve.
“Mitrovicë, qytetarë të kësaj treve urime ky nënstacion, urime 50 vjet furnizim me energji stabile dhe të qëndrueshme”, tha kryeministri Haradinaj.
Nga një fjalë mbajtën kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri dhe kryeshefi i KOSTT, Ilir Shala.
Një nënstacion i tillë sot është përuruar edhe në Komunën e Drenasit, investim prej 6.7 milionë euro. Nënstacionet janë ndërtuar duke përdorur teknologjinë më moderne GIS.