Kryeministri Ramush Haradinaj e ka cilësuar Masakrën e Dubravës si një nga krimet më të egra kundër njerëzimit.
Përmes një shkrimi në Facebook Haradinaj theksoi se ende askush nuk është dënuar, ndonëse janë qindra dëshmitarë të mbijetuar dhe se ka dëshmi të pamohueshme.
“Vrasja e 160 të burgosurve shqiptarë dhe plagosja e 200 të tjerëve në burgun e Dubravës, 20-vjet më parë nga forcat serbe është krimi më i egër kundër njerëzve tashmë të privuar nga liria. Masakra e Dubravës mbetet një nga krimet më monstruoze në Kosovë për të cilin askush nuk është gjykuar, edhe përkundër qindra dëshmitarëve të mbijetuar dhe dëshmive të pamohueshme. Është skajshmërisht e dhimbshme që edhe sot pas dy dekadash drejtësia nuk e ka kryer misionin e saj për të dënuar ekzekutorët e këtij krimi barbar. Mosdënimi i këtij krimi të përmasave gjenocidale dhe mohimi i tij është dëshmi se shteti serb nuk do të ballafaqohet me krimet e veta. Kosova nuk do të ndalet kurrë në kërkim të drejtësisë” ka shkruar Haradinaj.