Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, sot ka marrë pjesë në tubimin përkujtimor dhe zbulimin e shtatores së Shejh Myhedin Shehu. Aty Haradinaj tha se kjo ngjarje e bën krenar popullin kosovar, derisa shtoi se Shejh Myhedini është pjesë e luftëtarëve që historianët do të kenë punë me të.
“Kjo është një ditë që shënohet dhe mbahet mend për shumëçka. Po shoh udhëheqës fetar të respektuar. Një ngjarje si kjo i bën krenar popullin, se jemi në vendin ku ishte një vend më herët ra heroikisht një udhëheqës fetar, por në vete kishte edhe brumin e atdhetarit të shquar shqiptar, të rilindasit. Nëse i shihni kalimet prej periudhave, prej Lidhjes së Prizrenit, Lufta e Dytë Botërore, shumë prej atdhetarëve të zotë e gjenden vetën në periudha të vështira se si me vazhdua më tutje me mbet në shërbim të atdheut dhe kombit. Shejh Myhedini është pjesë e luftëtarëve që historianët do të kenë punë me të. Ai mbeti në rolin që kishte, besnik ndaj popullit dhe ndaj atyre në teqenë e madhe në Rahovec…”, tha Haradinaj.
I pranishëm në këtë manifestim, ishte edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ai tha se Shejh Myhedin Shehu, është shembull i mirë i një prijësi fetar dhe atdhetari për çlirimin e vendit.
“Të nderojmë një figurë të ndritur Shejh Myhedin Shehu, jo vetëm të Rahovecit. U vra nga dora e pushtuesit serb. Ne nderojmë veprën e tij që barti mbi supe këto vlera, që vazhdoi rrugën e të parëve. Është shembulli më i mirë i një prijësi fetar dhe atdhetari për çlirimin e vendit. Shejh Myhedini u bë kurban për lirinë e Kosovës, ra për popullin e tij”, tha Latifi.
Haradinaj ka uruar rahovecianët për zbulimin e shtatores së Shejh Myhedini, ndërsa pasardhësin e tij në Teqën e Madhe të Halvetive në Rahovec, Shehj Besimin, e dekoroi me çmimin “Gjergj Kastrioti- Skëndërbeu”.