Kryeministri, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës së tij në Londër, ka vizituar edhe Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, ku u mirëprit në seancën e dhomë së përfaqësuese dhe nga Kryetari i Parlamentit John Bercow, i shoqëruar nga Martin Vickers, deputet dhe udhëheqës i grupit të miqësisë për Kosovën në Parlamentin Britanik. Kryetari i Parlamentit i uroi mirëseardhje Kryeministrit Haradinaj dhe suksese në punën e tij.
“I nderuar me prezencën në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar dhe duke ndjekur nga afër punën në Dhomën e Përfaqësuesve”, tha Kryeministri Haradinaj.
Po në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, Kryeministri Haradinaj takoi personalitete të rëndësishme të këtij vendi si, ish-Sekretarin Gjeneral të NATO-s, Lord George Robertson, Gjeneralin Mike Jackson, komandant i parë I KFOR-it, Martin Vickers, udhëheqës i grupit të miqësisë për Kosovën në Parlamentin Britanik, John Grogan, zëvendëskryesues i Grupit të miqësisë për Kosovës në Parlamentin Britanik, Tim Judah, gazetar në “The Economist”, Ben Emmerson dhe Jon Mitchell.
Në këtë takim miqësor, kryeministri Haradinaj falënderoi përzemërsisht të gjithë për kontributin e tyre që në periudha të ndryshme e ndihmuan Kosovën në çlirimin, si dhe shtetndërtimin e saj.
Duke thënë se miqësia me miqtë që ndihmuan Kosovën do të vazhdojë edhe në të ardhmen, kryeministri Haradinaj shtoi se Kosova do të jetë gjithmonë mirënjohëse për rolin dhe kontributin që ata dhanë për vendin tonë dhe do të punoj në ruajtjen e partneritetit me vendet që ndihmuan çlirimin dhe shtetndërtimin e Kosovës.
Në këtë takim, të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Dalibor Jevtiq, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha dhe ambasadori i Kosovës në Londër, Lirim Greiçevci.