Kryeministri Ramush Haradinaj tha se Kosova është e interesua të ketë marrëveshje me Serbinë në kufijtë ekzistues, raporton Ekonomia Online.
Kreu i ekzekutivit në seancën solemne për nder të shënimit të 11-vjetorit të Pavarësisë, shtoi se po punohet në konsolidimin e shtetit.
“Sot është një ditë në të cilën ne të gjithë e ndjejmë rrugëtimin tonë deri në liri, e deri në 11 vjet shtet dhe njëkohësisht e urojmë njëri tjetrin me bindjen që e kaluara jonë na konfirmon se kemi pasur të drejtë breza e breza në përpjekjet tona për liri”.
“…kemi pasur të drejtë edhe më 17 shkurt 2008 dhe njëkohësisht kemi të drejtë edhe sot kur punojmë në konsolidimin e shtetit tonë, pra Republikës së Kosovës së 17 shkurtit 2008”.
“Gjithë ne do të punojmë në vazhdimësi për konsolidimin e shtetit tonë, dhe do të punojmë për marrëdhënie të mira me fqinjët, me të gjithë”.
“Jemi të interesuar për një marrëveshje tashmë të ditur të quajtur obligative dhe ligjore për njohje reciproke me Serbinë me kufijtë ekzistues dhe po ashtu jemi të interesuar në avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO dhe BE”.
“Shqiptarët janë popull që kanë dhënë shumë për Ballkanin dhe edhe sot janë kontribuues të paqes e stabilitetit”.
“Zoti e bekoftë Kosovën, zoti e bekoftë popullin shqiptar”, përfundoi fjalimin e tij kryeministri Ramush Haradinaj.
Në seancë kanë të pranishëm kryeministri shqiptar Edi Rama dhe Ish-shefi i OSBE-së, William Walker.
Përderisa Lëvizja Vetëvendosje nuk ka qenë në sallën plenare ku ka filluar seanca solemne për 11-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.
Pas mbarimit të himnit shtetëror disa deputet nga kjo parti janë kthyer në sallë.